Bankers Petroleum do të shpojë 40 puse të reja deri në fund të këtij viti, duke rritur kështu ndjeshëm ritmin e operacioneve.

Gjatë këtij viti niveli i investimeve që do të kryejë kompania më e madhe prodhuese e naftës në vend do të arrijë në rreth 90 milionë dollarë.

Burime zyrtare të kompanisë konfirmojnë se rritja e prodhimit të naftës ka ardhur kryesisht si pasojë e shpimit të puseve të reja.

Aktualisht prodhimi mesatar ditor arrin në rreth 15 mijë fuçi, duke rikuperuar ndjeshëm rënien e pësuar si pasojë e reduktimit të çmimit të naftës bruto në bursat ndërkombëtare.

Bankers Petroleum, kompania që shfrytëzon prej rreth 15 vitesh fushën më të madhe naftëmbajtëse në Europë, Patos-Marinzën, u ble një vit më parë nga korporata kineze Geo-Jade.

Pronarët e rinj të kompanisë janë tashmë të fokusuar tërësisht në Shqipëri, aty ku dhe zhvillohen operacionet e Bankers Petroleum.

Zyrat qendrore të kompanisë nuk ndodhen më në Kanada por janë vendosur në Fier, me qëllimin për të intensifikuar investimin, operacionet si dhe marrëdhëniet më palët e interesit.

Drejtuesit e kompanisë kanë planifikuar të rrisin edhe më tej prodhimin gjatë 2019-ës, pasi viti i ardhshëm do të jetë më agresiv përsa i përket investimeve.

“Nëse gjatë vitit të ardhshëm do të kemi një çmim Brenti prej 75 dollarë/fuçi, ne do të realizojmë rreth 88 shpime të reja duke investuar një total prej mbi 148 milionë dollarë në fushën e Patos-Marinzës”, thonë burimet zyrtare të kompanisë.

Programi i operacioneve do të fokusohet në metodat primare dhe sekondare, ku përveç injektimit të polimerit dhe ujit së fundmi kompania ka prezantuar injektimin e avullit, një teknologji unike e përdorur edhe nga kompani të rëndësishme ndërkombëtare në zhvillimin e naftës së rëndë

Rritja e investimeve nga kompania Bankers pritet të ndikojë pozitivisht në totalin e investimeve të huaja për vitin e ardhshëm, në një kohë kur qeveria shqiptare është në sfidë të vazhdueshme për të tërhequr kapital ndërkommbëtar brenda vendit.

Bankers Petroleum ka një peshë të rëndësishme në ekonominë vendase pasi mbulon rreth 90% të prodhimit total të naftës në vend dhe është një nga kompanitë më të mëdha eksportuese.

/Ora News.tv/