Edhe pse kanë kaluar 12 ditë nga zhvillimi i tenderit për shitjen e 75 mijë ton naftë bruto nga Albpetrol zyrtarisht nuk dihet asnjë detaj për këtë garë. Ministria e Infrastrukturës dhe Albpetrol ka zhvilluar këtë tender në mungesë të plotë transparence. Ndërkohë që burime bëjnë me dije se fituesi është shpallur që prej një jave por kjo nuk është pasqyruar në asnjë faqe zyrtare.

Tenderi për shitjen e 75 mijë tonë naftë të Albpetrol është zhvilluar në mungesë të plotë të transparencës. Tashmë që kanë kaluar 12 ditë  nga zhvillimi i procedurës, publikisht nuk dihet asgjë në lidhje me kompanitë që kanë qenë pjesë e garës apo për shumën që ato kanë ofruar.

Albpetrol por edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë detyrimin që të bëjnë publike çdo fazë të tenderit por kjo nuk ka ndodhur për shitjen e karburantit që kap një vlerë prej 2.5 mld lekësh.

Ankandi për shitjen e naftës bruto shkaktoi mjaft polemika pasi në periudhën që parashikohej të zhvillohej ministrja e Infrastrukturës shkarkoi drejtorin e Albpetrol, Kastriot Bejtaj madje në atë kohë u aludua se emërimi në vend të tij i  Dritan Spahiut u bë pikërisht për këtë tender që kap një vlerë të konsiderueshme. Tashmë nuk ka asnjë informacion konkret përsa i përket përfundimit të ankandit të shitjes së naftës bruto, si u zhvillua, sa pjesëmarrës pati apo sa operatorë u s'kualifikuan se nuk kishin sjellë ofertë apo kishin mangësi në dokumente. Burime bëjnë me dije se fituesi i këtij ankandi është shpallur që prej një jave por  fituesi  nuk është bërë ende publik. Gjatë vitit të kaluar Albpetrol arkëtoi rreth 23 milion dollarë nga i njëjti ankand i zhvilluar për shitjen e një sasie nafte bruto prej 56 mijë tonësh.

Sasia e karburantit e nxjerr për shtije ndodhet në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Visoke, Gorisht, Zharrez, i Kuçovë si dhe Amonice. 

/Ora News.tv/