Balluku nuk pranon liberalizimin, kolaudimi i automjeteve mbetet monopol

Balluku nuk pranon liberalizimin, kolaudimi i automjeteve mbetet monopol

Kolaudimi i automjeteve në Shqipëri mbetet një monopol i cili nuk përmbush standardet. Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur si shqetësim se Ministria e Infrastrukturës nuk ka zbatuar vendimet e dhëna nga ky institucion në lidhje me këtë treg. Ndërkohë që Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës një hetim të thelluar në  transportin ajror në këtë treg, pasi ka një kosto të shtuar në xhepat e qytetarëve.

Nuk janë vetëm rrugët dhe aeroportet që janë lënë në harresë prej Ministrisë së  Infrastrukturës dhe Energjisë.

Belinda Balluku duket se nuk zbaton as rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës përsa i përket kolaudimit të automjeteve.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë, Kryetarja e këtij institucioni deklaroi se Ministria nuk ka marrë parasysh asnjë rekomandim mbi liberalizimin e tregut.

Juliana Latifi: Këto rekomandime nuk janë përmbushur. Në rastin e Ministrisë së Energjitikës. Kemi kërkuar si në rastin e koncesionit të SGS-së, kemi dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor që i adresohen akteve ligjore apo nënligjore përkatëse, të cilat nuk janë marrë në konsideratë. Autoriteti i Konkurrencës i ka përsëritur shkresat kundrejt institucioneve përkatëse.

Madje edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, është shprehur i shqetësuar për mungesën e reagimit.

Arben Ahmetaj: Koncesioni i kolaudimit të makinave është turp, turp. Ju keni marrë një qëndrim, qëndrim i drejtë. Keni vendosur një gjobë, gjobë e drejtë. Praktika ka ndryshuar?

Në Komision u ngrit si shqetësim edhe fakti se transporti ajror  në Shqipëri është më i shtrenjti në rajon.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës që të thellojë hetimet në këtë sektor, i cili u sjell qytetarëve një dëm të konsiderueshëm.

Arben Ahmetaj: Dëmi i konsumatorit shqiptar mund të shkojë deri në 200 milion euro për shkak të çmimit të biletave, çfarë bëjmë ne, çfarë bën Autoriteti, çfarë bën administrata etj?

Në total gjatë 2018, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba që arrijnë në 269 mln lekë ndaj kompanive që kanë shkelur konkurrencën.

EMISIONET