Balluku le rrugët rrugëve, Buxhuku: Shumë akse janë në gjendje të shkatërruar

Balluku le rrugët rrugëve, Buxhuku: Shumë akse janë në

Biznesi ka ngritur si shqetësim gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore në vend. Gjergj Buxhuku deklaron se mungon totalisht mirëmbajtja duke u kthyer në një problem për zhvillimin ekonomik  dhe investimet e huaja. Buxhuku bën apel për më shumë transparencë në përdorimin e fondeve publike.

Ministrja e Infrastrukturës ka harruar të mirëmbajë disa nga akset kryesore rrugore.

Gjegj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, bën me dije se kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese duke qenë se jemi në prag të sezonit turistik.

Sipas Buxhukut shqetësuese për bizneset është gjendja sidomos në akset Gosë-Rrogozhinë, Tiranë-Ndroq  dhe Përmet-Çarshovë.

Gjegj Buxhuku: Infrastruktura rrugore është në gjendje të vështirë. Në shqetësimet që kanë ardhur nga bizneset mund të veçojmë disa akse të cilat janë me gjithë mend në gjendje të vështirë. I pari është aksi me rëndësi kombëtare në rrugën Plepa-Rrogozhinë, në segmentin Gosë-Rrogozhinë. Praktikisht jemi në fillimin e shkatërrimit të rrugës nëse nuk do të ndërhyhet menjëherë. Po kështu mjaft shqetësues është aksi Përmet-Çarshovë, i cili praktikisht është i shkatërruar, nuk ka qarkullim, duke falimentuar bizneset.

Konfindustria vlerëson, duhet të bëhet rishikimi i strategjisë së shpërndarjes së financimeve buxhetore dhe kontratave koncesionare PPP  për sistemin rrugor shqiptar.

Gjegj Buxhuku: Duhet parë një rishikim i strategjisë për të kuptuar se çfarë bëhet me shpërndarjen e fondeve buxhetore dhe njëkohësisht për ato kontrata PPP që janë të rëndësishme por kanë një kohëzgjatje të gjatë të ndërtimit të tyre dhe njëkohësisht i kanë me vlerë të lartë.

Bizneset shprehen të shqetësuar për impaktin që ka në ekonominë shqiptare gjendja e infrastrukturës rrugore.

Gjegj Buxhuku: Është një shfaqje jo e mirë për imazhin e vendit, jo vetëm për turistët që vijnë por edhe për bizneset dhe investitorët e huaj.

Që prej janarit në vend nuk ka asnjë kantier të ri të hapur në infrastrukturë ndërsa ka munguar pothuajse totalisht mirëmbajtja në akset kryesore në vend.

EMISIONET