Sektori i energjetikës është një nga më kyçët por dhe më problematiku në Shqipëri. Investimet në HEC-e dhe në panelet diellore nuk mungojnë, por në vend që të stimulohen pengohen prej burokracive. Prej muajsh investitorët trokasin në dyert e ministrisë së drejtuar prej Belinda Ballukut, por e vetmja përgjigje që marrin mbetet shtyrja e akteve nënligjore që do ti hapte rrugë investimeve.

Situata hidrike në vend është në prag kolapsi për shkak të mungesës së reshjeve. Madje institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar se kriza energjetike po kthehet në një rrezik serioz për buxhetin e shtetit.  Banka Botërore pak ditë më parë kërkoi gjetjen e një strategjie të qëndrueshme.

Por në vend të zgjidhjes, duket se ministria e Infrastrukturës vazhdon të mbajë një qëndrim ndryshe, duke krijuar barriera.

Sipërmarrësit në sektorin e energjisë përmes penaleve diellore, ankohen se po penalizohen për shkak të mungesës së akteve nënligjore që do tu hapë rrugë investimeve.  Madje prej tre muajsh ata kanë trokitur në institucionin e drejtuar prej Belinda Ballukut, por pa gjetur zgjidhje.

Fatmir Çekrezi nga qyteti i Elbasanit thotë se investimi mbi 3 mijë euo për instalimin e paneleve diellore ka shkuar dëm.

Fatmir Çekrezi: Aktualisht prej 4 vitesh kam bërë kërkesa, më thonë se nuk kanë dalë aktet nënligjore udhëzuese. Nuk jemi furnizuar me sahat kështu që qëndrojmë pezull. Një investim i kryer prej 4 vitesh me një shifer të lartë për një familje, mbi 3500 euro.

Nese jashtë Shqipërisë investime të kësaj natyre subvencionohen nga shteti, në vendin tonë të mbyllin dyert.

 Fatmir Çekrezi: Ne nuk kërkojmë subvencione, sepse në BE kjo financohet edhe nga shtetit, por të paktën meqë e kemi kryer të na japin mundësinë ta vëmë në efiçencë.

Burime pranë OSHEE, Elbasan bëjnë me dije se për raste të tilla nuk kanë rekomandime nga Ministria e Energjitikës. Mësohet se kjo e fundit ka zhvilluar një takim me grupet e interesit pak ditë më parë, por ende nuk është ofruar zgjidhje konkrete.

/Ora News.tv/