Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange dhe delegacionin që e shoqëron.

Gjatë takimit Balla e falenderoi përfaqësuesin e Qeverisë gjermane dhe të Bundestag-ut për mbështetjen e fortë për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu për vijimin e procesit me hapjen e negociatave për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë.

“Jemi në një moment historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të anëtarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse kemi ende shumë, shumë punë për tu bërë vend anëtar”, tha Balla.

Nga ana e tij Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit zoti Christian Lange u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të dukshëm përpara në rrugën e saj europiane. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë.

Në këtë takim zoti Balla shoqërohej nga deputetët Klotilda Bushka dhe Ervin Bushati.

/Ora News.tv/