Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit akuzoi opozitën jashtë Parlamentit se po bën çdo përpjekje për të penguar  të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Balla: Shqipëria ka treguar që kur bëhet fjalë për rrugën tonë Evropiane ne duhet të bëhemi bashkë. Edhe pse kolegët tuaj jashtë po bëjnë gjithçka kanë mundësi për të dëmtuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe procesin e fillimit të negociatave për anëtarësim. Çdo bllokim rruge, çdo dhunë që ushtrohet ndaj institucioneve është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar të ardhmen evropiane. 

Balla tha me garanci të plotë se raporti përfundimtar për Shqipërinë i KE, do të jetë pozitiv dhe komisioni do të kërkojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Balla: Askush nuk ka dyshime më. Kemi marrë të gjitha garancitë se raporti që komisioneri Hahn paraqit në kolegjin e komisionerëve dhe më pas është raport përfundimtar i Komisionit që i paraqitet parlamentit dhe këshillit, vlerësimi për hapet e hedhura nga Shqipëria do të jetë pozitiv. Komisioni do t'i rekomandojë Këshillit dhe PE fillimin e bisedimeve. Të gjitha këto përpjekje keqdashëse ndaj këtij interesi të Shqipërisë nuk ja kanë dalë të dëmtojnë atë që është pjesa më e rëndësishme. KE është institucioni i vetëm për të bërë diagnozën e çdo vendi në rrugën e vet evropiane. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar parakushtet për të filluar bisedimet.

/Ora News.tv/