Partia Socialiste vijon të përsërisë këcënimin me Kodin Penal për ata që i shkon mendja të prekin zgjedhjet e 30 qershorit.

Nga qyteti i Elbasanit ku prezantoi listën e këshilltarëve bashkiakë, deputeti Taulant Balla u shpreh: "Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi.

Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ja dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur.”

Në një tryezë me deputetët e Elbasanit, kryetarin aktual të bashkisë dhe kandidatin për kryetar në zgjedhjet e 30 Qershorit Gledian Llatja, Balla prezantoi të 51 emrat të zgjedhur për këshilltar bashkie.

/Ora News.tv/