Mazhoranca është e bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE për hapjen e negociateve. Por socialistët nuk e mohojnë se zgjedhjet në PE dhe fushata e partive populiste mund të kenë një efekt negativ në vendimin e Brukselit në qershor për Shqipërinë.

Qeveria është dorëzuar para faktit se vendimi i qershorit për hapjen e negociatave nuk varet vetëm nga Shqipëria.

Nënkryetari i Këshillit të Integrimit, Taulant Balla, gjatë takimit me studentët e Drejtësisë u shpreh se vendi ynë i ka bërë detyrat e saj, por debatet e brendshme në vendet e unionit mund të ndikojnë në Bruksel.

Balla: Ne jemi gati të japim provimin por sa të mbarojnë zgjedhjet me 26 maj për Parlamentin Europian dhe sa kohë ka një rritje të partive populiste të cilat kondicionojnë qasjen e tyre me pengimin ndaj zgjerimit, ka dhe vende si Holanda.

Por pavarësisht ndikimit të tyre, Sekretari Përgjithshëm i PS-së theksoi se nuk do të rikthehen vizat për shqiptarët.

Balla: Zero shanse që Shqipërisë ti vihen sot vizat. Vetë qeveria holandeze nuk është dakord me inisiativën e një deputeteje ekstremiste.

Edhe pse na ndajnë 2 muaj nga marrja e vendimit nga ana vendeve të unionit për negociatat me Shqipërinë, vendi ynë vijon të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.

Pavarësisht se zyrtarët e lartë besojnë që deri në qershor Kushtetuesja do të jetë funksionale.

/Ora News.tv/