Babai i Megan Markle mund të mos e shoqërojë të bijën në altar kur ajo të martohet me Princin Harry. Mediat raportojnë se Thomas Markle nuk do të jetë prezent në ditën e shumëpritur për shkak të një skandali që mund ta vendosë Megan në një pozitë të vështirë. Zoti Markle mendohet se i ka shitur mediave fotografi të tijat, duke u përgatitur për martesën e aktores amerikane me princin britanik, për shumën e 100 mijë dollarëve.

Vetëm 4 ditë përpara se Meghan Markle të lidhë kurorë me Princin Harry, është e paqartë nëse babai i aktores amerikane do ta shoqërojë të bijën në altar, ashtu siç ishte planifikuar.

Thomas Markle ka rrëfyer për faqen e lajmeve TMZ, nga shtëpia e tij në Meksikë, se ai ka vendosur të mos jetë pjesë e ceremonisë së martesës mes të bijës dhe princit.

TMZ madje raporton se zoti Markle ka pësuar një sulm kardiak rreth një javë më parë, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga familja apo Pallati mbretëror i Kensingtonit.

Mediat britanike kanë qarkulluar më herët fotografi të zotit Markle duke marrë masat për një kostum dasme, ndërkohë që ai lexonte artikuj gazetash mbi vajzën e tij.

Megjithatë, tabloidi britanik The Daily Mail raportoi se këto fotografi ishin të stisura nga vetë zoti Markle në bashkëpunim me një fotograf paparac dhe se i ishin shitur mediave për mëse 100.000 dollarë. Raportohet se është pikërisht kjo arsyeja përse Thomas Markle nuk do të marrë pjesë në dasmë, për të mos vendosur të bijën në një situatë jo të këndshme.

Pallati i Kensingtonit ka lëshuar një deklaratë ku ka kërkuar mirëkuptim për babain e aktores amerikane.

“Ky është një moment shumë personal për zonjën Markle në ditët përpara dasmës së saj. Ajo dhe Princi Harry kërkojnë sërish mirëkuptimin tuaj dhe që zoti Markle të respektohet në këtë situatë të vështirë,” thuhej në deklaratën e zyrës së princit britanik.



/Ora News.tv/