KE me rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave me Kosovën

KE me rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave me Kosovën

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Avramopoulus në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ky proces ndonëse i vështirë ka shkuar në rrugë të mirë.

“Pas përpjekjeve të jashtëzakonshme Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që lidhen me liberalizimin e vizave dhe tani kjo gjë dihet dhe pranohet gjerësisht. Përveç kësaj Kosova ka vazhduar të plotësojë të gjitha kushtet që ne veçse i kemi cilësuar si të plotësuara në maj të vitit 2016. Tani është në duart e parlamentit evropian dhe këshillit evropian që të ecin më tutje dhe të adoptojnë propozimin e komisionit nga maji 2016 dhe i inkurajoj ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët me komisionerin Avramopoulos, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky rekomandim përbën një moment historik dhe paraqet njohje të përpjekjeve shumë vjeçare të Kosovës.

“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane, sot është fituese Kosova, sot është fitues Bashkimi Evropian. Lajmi i sotëm e përmbyll një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të komisionit evropian. Siç kemi deklaruar edhe më herët Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe sot me plot kuptimin e fjalës kemi pajtim të plotë me partnerët tonë në komisionin evropian”, tha presidenti Thaçi.

EMISIONET