Avokati i ish-deputetit demokrat, Bardh Spahia, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat tha se nëse çështja e tij nuk do të kishte qenë politike, ai ndiqej në gjendje të lirë, pa u aplikuar si masë sigurie.

Ivi Kaso: Gjykata na dha të drejtë për qëndrimin tonë që e shprehëm që në momentin kur aplikuam masën e sigurisë, lidhur me paligjshmërinë e ndalimit me iniciativë nga policia në kushtet kur ky ndalim është bërë në më shumë se 24 orë pas fakteve që pretendoheshin si vepër penale. Është bërë pa urdhrin e prokurorit dhe kjo është shkelje flagrante e ligjit. Shkelje që e konstatoi edhe Gjykata e Apelit. Nëse çështja nuk do të kishte qenë politike, do të kishte qenë shumë normale që shtetasi Bardh Spahia të ndiqej në gjendje të lirë, pa u aplikuar si masë sigurie. Por duke konsideruar edhe qëndrimin që organi i akuzës e pati që në seancën e parë të vendosjes së masës së sigurisë, që kur ishte referuar nga policia gjyqësore për 5 veprat penale, si dhe fakti që ka regjistruar një procedim për 3 vepra penale, për të cilat nuk ka asnjë provë që ky shtetas i ka kryer. Gjykata e pa të arsyeshme që të krijonte një balancë midis kërkesës së Prokurorisë dhe qëndrimit të shtetasit Bardh Spahia.U provua edhe një herë që ndalimi i tij është bërë thjeshtë dhe vetëm për motive politike dhe për asgjë që lidhet me kryerjen, apo pretendimin që është konsumuar një vepër penale konkrete. Aq më pak ato që u kërkuan nga organi i Prokurorisë. Ndalimi i bërë nga policia politike është bërë drejtpërdrejtë me urdhër politik për të penguar ish-deputetin Bardh Spahia, i cili ka qenë në krye të detyrës së tij, si i zgjedhur dhe mandatuar nga populli për të protestuar paqësisht ndaj policisë politike që po zaptonte ambientet që ishin në pronësi të Bashkisë së Shkodrës. 

Ditën e sotme gjykata e Apelit të Shkodrës ndryshoi masën e sigurisë për ish deputetin Bardh Spahia nga "arrest shtëpie" në "Detyrim paraqitje".

Më herët Gjykata e Shkallës e Parë e kishte lënë në 'arrest shtëpie' për djegin e KQZ në Vaun e Dejës.

Trupa gjykuese e Apelit e cilësoi të paligjshëm arrestimin e ish - deputetit, duke kërkuar që ai të paraqitet në polici vetëm të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Spahia akuzohet për "Kundërshtim që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit”.

/Ora News.tv/