Një muaj pasi Prokuroria e Durrësit nisi procedimi penal për ish- kryeprokurorin Adriatik Llalla  për katër akuza , dosja ndaj tij mesohet me burime jo zyrtare se ka kaluar për kompetencë në prokurorinë e krimeve të rënda. Por avokati mbrojtës i tij, Sokol Hazizaj, ka pohuar se as ai dhe as Llalla nuk janë vene në dijeni të nisjes së ndonjë procedimi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë dosjen hetimore ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.

Burime të Ora Nws kanë mësuar se Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencen duke transferuar çështjen.

Por  avokati mbrojtës i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj, thote se as ai dhe as ish-kryeprokurori nuk janë vënë në dijeni  për nisjen e ndonjë procedimi penal apo hetimi megjithësi i janë drejtuar organit të akuzës edhe me kërkesë zyrtare.

Hazizaj: Nuk jam njoftuar për procedim apo fillim hetimi për klientin tim. Sa kohë jam mbrojtës ligjor i tij, unë do të isha personi i duhur për t’u njoftuar për procedimin penal apo hetimin ndaj tij. Prokurën përmes së cilës ish-kryeprokurori ka lëshuar, kam tagrin për ta përfaqësuar.

Hazizaj tha se do të jetë pranishëm ne séancën e Kolegjit te Apelimit.

Hazizaj: Do jem i pranishëm edhe në seancën e KPA, pasi është apeluar vendimi i KPK që ka pranuar dorëheqjen e Llallës nga radhët e drejtësisë.

Hetimi për Llallën  është regjistruar për “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise,”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Ky fakt u pranua nga Prokuroria e Durrësit, e cila në përgjigjen zyrtare dërguar Ora Nws ka saktësuar se procedimi  mban numrin 447 dhe është regjistruar në datën 15 mars, çka sipas avokatit Hazizaj e bën të paligjshëm hetimin në se regjistrohet dhe nuk njoftohet i proceduari.

Ndërkohë ish-kryeprokurori Llalla mësohet se aktualisht  nuk ndodhet në Shqipëri.

/Ora News.tv/