Austria drejt zgjedhjeve të parakohshme

Austria drejt zgjedhjeve të parakohshme

Austria është përfshirë nga një skandal politik pasi zv./kancelari Kristan Strahe u filmua teksa i ofronte kontrate qeveritare një oligarkeje ruse. Skandali që shpërtheu në prag të zgjedhjeve europiane, nxiti kancelarin Sebastian Kurz të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Presidenti i vendit tha se zgjedhjet janë të nevojshme për të rikthyer besimin e publikut.

Austria është përfshirë në një krizë politike dhe presidenti Alexander Van der Bellen theksoi se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme ishte i nevojshëm për të rifituar besimin e publikut.

Duke folur përpara medieve, Van der Bellen tha se "kjo mund të arrihet vetëm me zgjedhje të parakohshme."

Presidenti shtoi gjithashtu se e ka biseduar çështjen e zgjedhjeve të parakohshme me kancelarin Sebastian Kurz.

Partia Popullore e qendrës së djathtë e kancelarit Kurtz është në qeveri me Partinë e Lirisë, e krahut të djathtë, udhëheqësi i së cilës është Heinz Christian Strache.

Dorëheqja e këtij të fundit erdhi pas publikimit të një video regjistrimi nga gazeta Der Spiegel, ku ai shfaqet teksa i ofron kontrata qeveritare një gruaje që paraqitet si investitore e pasur nga Rusia.

Zoti Strache e pranoi fajin për veprimet e tij dhe e përshkroi sjelljen si "të papërgjegjshme".

Ai tha se doli nga qeveria për të shmangur dëmet e mëtejshme ndaj qeverisë.

Ndërkohë skandali solli reagimin e menjëhershëm popullor. Rreth pesëmijë protestues u mblodhën përpara zyrës së kancelarit me pankarta në duar ku shkruhej: "Zgjedhjet e parakohshme tani."

Skandali që ka përfshirë Austrinë u përdor menjëherë nga udhëheqësja konservatore gjermane, Annegret Kramp Karrenbauer, për të kritikuar partitë e ekstremit të djathtë.

Kramp Karrenbauer, që është kryetarja e kristiandemokratëve gjermanë dhe zëvendësuese e mundshme e kancelares, Angela Merkel, tha se “partitë populiste të ekstremit të djathtë janë të gatshme të shesin vendin e tyre për përfitime personale”.

EMISIONET