Australia dhe Timori Lindor përcaktojnë kufirin detar mes tyre

Australia dhe Timori Lindor përcaktojnë kufirin detar mes tyre

Një marrëveshje historike për kufirin detar është nënshkruar mes Australisë dhe Timorit Lindor. Përveç përcaktimit të kufirit, traktati zgjidh edhe konfliktin mbi aksesin në rezervat e pasura të naftës në det. Kështu, akordi do të jetë një ndihmë ekonomike për Timorin Lindor, pasi do t’i sigurojë fitime të jashtëzakonshme një prej kombeve më të varfëra të botës.

Timori Lindor dhe Australia kanë nënshkruar një traktat historik për kufirin e përhershëm detar në Detin Timor.

Marrëveshja e firmosur në zyrat e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, i jep zgjidhje konflikteve të gjata mes fqinjëve mbi mënyrën e shpërndarjes së përfitimeve që vijnë nga rezervat e gazit dhe naftës që ndodhen në Detin Timor.

Kështu falë këtij akordi, Timori Lindor, një prej kombeve më të varfëra të botës, do të fitojë shumicën e të ardhurave të ardhshme.

Pas shpalljes së pavarësisë nga Indonezia në vitin 2002, Timori Lindor nuk arriti të caktonte një kufi të përhershëm detar me Australinë.

Palët ranë dakord për një kufi të përkohshëm, që më vonë u kontestua nga Timori Lindor si një marrëveshje e padrejtë, pasi Australia përfitonte akses më të madh në fushën e gazit dhe naftës Greater Sunrise.

Në 2016, Timori Lindor e çoi çështjen në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë dhe ndërmjetësimi mes kombeve përfundoi javën e kaluar.

Tashmë falë marrëveshjes së re, Timori Lindor do të përfitojë 70% të të ardhurave nga rezerva Greater Sunrise, që përllogaritet të ketë vlerën e 40 miliardë dollarëve. Fitimet e mëparshme ndaheshin në mënyrë të barabartë mes vendeve.

EMISIONET