Partia Demokratike ka marrë në mbrojtje dëshmitarin X, Albert Veliu. 

Në studion e lajmeve të Ora News, nënkryetari i PD-së Edmond Spaho deklaron se më parë është kërcënuar dhe familja e tij.

Spaho: Dëshmitari është kërcënuar dhe i kanë ofruar një të afërmi të tij 200 mijë euro që të mohojë dëshminë. Ne nuk dalim mbi bazën e ëndrrave që shikojmë në PD, por fakteve dhe provave. Tentativat për ta kapur u bënë që në fillim duke kërcënuar familjen e tij dhe familja është zhvendosur, tentiva të tjera po bëhen tani për ta blerë, manipuluar apo edhe dëmtuar. 

Sipas Spahos, vëllai i ministrit Xhafaj ka mbrojtjen e qeverisë.

Nënkryetari i PD-së shprehet se prokuroria duhet të kishte nisur hetimet.

Spaho: Fakti që u largua i vëllai i Ministrit në atë mënyrë në një kohë që ishte bërë një deklarim publik. Prokuroria duhet të fillonte hetimet, duhet ta arrestonte. Në fakt e trajtoi më përkedhëli, ai shkoi atje dhe bëri ankimimin kundër dy deputetëve dhe punonjësit të PD dhe u largua me të gjithë nderet i shoqëruar nga policia dhe nuk dimë se ku është sot. Në një kohë që ka procedura për ekstradimin e njerëzve që kanë për të kryer vepër penale në shtete të tjera.

Përsa i përket protestës së 26 majit, Spaho shprehet se do të jetë më e madhe se ajo e janarit. 

Spaho: Po punojmë fort që të sensibilizojmë qytetarët, ne jemi të bindur se protesta do të jetë më e madhe se e 27 janarit të këtij viti.Kemi parë reagimin e qytetarëve në terren, qoftë dhe përmes sondazheve me telefon.

 Ndërkaq opozita ka vendosur të mos ketë raport normal me parlamentin deri në zgjidhjen e kësaj situate, ku PD kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

 

/Ora News.tv/