Anulohet lehtësimi i akuzës për 19-vjeçarin e dyshuar si autor i atentatit ndaj Florenc Çapjes në Elbasan dy vjet më parë. Në seancë gjyqësore prokuroria ka njoftuar akuzën e re për vrasje të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje ndaj për të riut. Pak javë më parë prokuroria lehtësoi akuzën ndaj Shkelzën Hasanpapajt në plagosje, duke u bërë shkak për nisjen e një inspektimi me urdhër të kryeprokurores Arta Marku. 

Prokuroria e Elbasanit ndryshon qëndrim në gjykatë për Shkëlzen Hasanpapën, të riun e akuzuar për atentatin me armë ndaj Florenc Çapjes dy vjet më parë.

Në seancë gjyqësore, prokuroria ka njoftuar akuzën e re për 19-vjeçarin Hasanpapaj, i cili po gjykohet si autor i sulmit me armë ndaj Florenc Çapes dhe Bledar Muçës në Elbasan paraditen e 6 qershorit 2016.

Në seancën e së hënës në gjykatë, prokuroria i ka njoftuar të pandehurit akuzaën e vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje.

Disa seanca më parë, prokuroria e kualifikoi akuzën ndaj Hasanpapajt si plagosje duke lehtësuar pozitën penale të të riut në krahasim me veprën penale për të cilën ai ishte i pandehur më herët.

Lehtësimi i akuzës për Hasanpapajn u bë shkak për nisjen e një inspektimi në prokurorinë e Elbasanit me urdhër të kryeprokurores Arta Marku ndaj veprimtarisë së kryeprokurorit të mëparshëm Dritan Gina.

Dosja penale ndaj 19-vjeçarit u dërgua në gjyq në 27 dhjetor 2017 pas përfundimit të hetimeve në lidhje me atentatin me armë ndaj anëtarit të fisit Çapja.

Shkelzen Hasanpapaj u arratis nga shqipëria menjëherë pas krimit në qershor 2016 por u arrestua në Holandë dhe në tetor të vitit të kaluar u ekstradua në Shqipëri me masa te forta sigurie.

/Ora News.tv/