Atalanta do të kryesojë për të paktën 1 javë Seria A italiane, me bluzinjtë që mposhtën me "poker" 4-0 të sapo ngjiturit në elitë, Frosinonen. Në "Atleti Azzurri d'Italia" dominimi i vendasve ishte i dukshëm gjatë gjithë takimit, me bergamezët që përfituan nga një superformë e kapitenit Gomez, që shënoi dy herë dhe dhuroi dy asiste.

Fillimisht 30 vjeçari zhbllokoi shifrat në minutën e 14-të, me mesfushorin që pasi i humbi vëmendjes së mbrojtjes mike, e kontrolloi mjaft mirë sferën dhe me të majtën e depozitoi në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që në fraksionin e dytë Gomez mori rolin e njeriut asist përpara se të kompletonte pokerin. Pasi lëvizi bukur në krahun e majtë të sulmit, 30 vjeçari hodhi në zonë një top që gjeti këmbët e holandezit Hateboer që pa u menduar dy herë goditi për të dërguar në 2-0 shifrat.

Edhe goli i tretë u "gatua" nga heroi i Bergamaskëve, me Pasalic që nuk e kishte të vështirë të dërgonte në rrjetë asistin perfekt të Gomez për të hipotekuar fitoren e të besuarve të Gian Piero Gasperini. Megjithatë "Show" i Gomez nuk kishte mbaruar këtu me argjentinasin që kompletoi dhe dopietën e tij përsonale dhe "pokerin" e Atalantës përballë modestëve të Frosinone.

Me këtë fitore Atalanta ngjitet e vetme në krye të Seria A, me golavarazh më të mirë, ndërkohë që këtë takim Berat Djimsiti e zhvilloi si protagonist pasi luajti për 90 minuta,  ndërkohë që Etrit Berisha e pa të gjithin nga stoli.  

/Ora News.tv/