Artistët vendosin gërmat e Teatrit Kombëtar: Të gjenden autorët që i hoqën

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka vendosur sërish në fasadën e murit shkronjat e Teatrit Kombëtar. Artistët kërkuan nga institucionet që të merren masat lidhur me ngjarjen  e dy javëve më parë.

Teatri Kombëtar ka sërish emrin e tij të gdhëndur në mur. Ashtu siç kishte lajmëruar edhe më herët Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka mbledhur fondet e nevojshme për prodhimin e shkronjave të Teatrit Kombëtar dhe rivendosjen e tyre në fasadën e godinës së tij.

Me një pjesëmarrje mes artistësh dhe qytetarësh të shumtë, rivendosja e gërmës së parë u prit me duartrokitje.

Por, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vijon të kërkojë nga institucionet gjetjen e autorëve të cilën hoqën shkronjat e emrit të Teatrit Kombëtar nga fasada ballore e godinës së tij.

"Akuzojmë direkt Bashkinë e Tiranës për grabitjen e shkronjave nga fasada e Teatrit, Policinë e Shtetit që ka qenë prezentë gjatë momentit kur janë hequr shkronjat, dhe në vend që të arrestonte keqbërësit, u bëri roje që mos t`i ngacmonte njeri. Denoncojmë direkt Drejtorin e Teatrit Kombëtar, i cili është njoftuar nga Policia  Private e ngarkuar për ruajtjen e godinës, dhe nuk ka patur deri tani që flasim asnjë reagim, megjithëse e di shumë se kush i ka marrë shkronjat. Denoncojmë direkt Ministrinë e Kulturës si bashkëpunëtore në këtë krim të shëmtuar, pasi nuk ka bërë akoma asnjë reagim publik asnjë reagim institucional, dhe asnjë denoncim në Prokurorinë e Tiranës, apo Prokurorinë e Përgjithshme".

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon që të verifikohen dhe të evidentohen të gjitha të dhënat në lidhje me mbrëmjen kur u hoqën gërmat e Teatrit.

SHIKONI FOTO TE TJERA


EMISIONET