ARRSH pezullon ndërtimin e lotit të parë tek Unaza e Madhe
Autoriteti Rrugor Shqiptar urdhëron pezullimin e aktivitetin ndërtimor për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.
ARRSH informon se do të nisë verifikimet pas skandalit të publikuar mbrëmë nga emisioni “Të Paekspozuarit”, i Ylli Rakipit, në lidhje me falsifikimet e kompaninsë Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania), fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe
Përmes njoftimit për shtyp ARRSH tregon tre hapat që do të ndërmarrë mes tyre i kërkon autoriteteve amerikane verifikimin e dokumenteve të paraqitura nga kompania
1. ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare tu kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.
2. Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.
3. Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin. "
Autoriteti Rrugor Shqiptar gjithashtu thotë se kishte regjistruar pasi ishte bërë njësimi i licences dhe se nuk kishte pasur asnjë indicie që vinte në dyshim autenticitetin dhe vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura çka do niste më pas dhe procedurën e verifikimit paraprak.
Autoriteti Kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware.
Në përmbushje të kritereve të dhëna në dokumentet e tenderit ka bërë regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe njësimin e licencës duke respektuar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.42 datë 16.01.2008, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”. Njësimi i saj ka konkluduar me një nivel maksimal të licensimit, bazuar në veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G).
Në rast se konfirmohet se ka falsifikim do të zgjidhet kontrata në mënyrë të njëanshme. Mbrëmjen e djeshme "Të Paekspozuarit" publikuan një komunikim me autoritetet në SHBA ku pretendohej se dokumentet që kompania ka depozituar në Shqipëri janë të falsifikuara.
