Babë e bir janë arrestuar në Kolonjë pasi dhunuan me mjete të forta ish-dekanin e Shkencave të Universitetit të Korçës, Ilo Mele. Shkak për konfliktin mes dy familjeve janë bërë 600 metra tokë, që familja Mele thotë se e ka blerë me dokumente të rregullta, ndërsa familja Murataj i pretendon pronësinë.

Ish-dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Korçë, Ilo Mele, është dhunuar me për çështje pronësie në  Skorovot të Kolonjës nga babë e bir, Adem dhe Gjergj Murataj, tashmë të vënë në pranga.

Ai ka marrë goditje në kokë dhe aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarje e paralajmëruar -Bashkëshortja e tij, Veronika Mele, thotë se sherri ka nisur për 600 metra tokë sipas saj të blerë me dokumentacion të rregullt, ndërsa dhuna ndaj bashkëshortit të saj nga at e bir ishte e përsëritur.

Veronika Mele:  Im shoq nga këta atë dhe bir, Adem Murataj dhe Gjergji Murataj është dhunuar njëherë vjet në behar. Ne e kemi paditur në gjyq dhe kanë marrë një gjobë prej 50 mijë lekësh të reja. Tani vendimi i gjykatës ishte të vinte eksperti i gjykatës, topografi, të vendosë piketat ku janë kufijtë tanë duke e njohur plotësisht pronën që është e jona. Këta marrin guximin në sy të ekspertit ti thonë ti nuk ke për të shkelur këtu, largohu që këtu dhe ju sulën tim shoqi.

Dhunuesit pretendojnë pronësinë e tokës-Nga ana tjetër, at e bir Adem dhe Gjergj Murataj mësohet se kanë deklaruar në polici se toka u përket atyre dhe nuk do të tërhiqen.

 “Do i shkojme të drejtës deri ne fund. Tokat i kemi nga gjyshi me dokumentat e vjetra” citohen të kenë deklaruar ata para grupit hetimor.


/Ora News.tv/