Në pranga djali i deputetit, arrestimi pas përgjimit ambiental me Xhisielën
Disa ditë pas publikimit në media të dëshmisë së oficerit të policisë Emiljano Nuhu se është kërcënuar pas hetimeve të nisura ndaj djalit të deputetit socialist, ka ardhur edhe arrestimi i Rrahman Rrajës. Pas kërkesës së prokurorisë, gjykata ka vendour masën "arrest me burg" për Rrajën, e cila është ekzekutuar nga gjykata.
Gjykata e Krujës me kërkesë të prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Masa e arrestit është ekzekutuar nga policia mesditën e të dielës (30 shtator 2018).
I riu akuzohet se ka dhunuar 25-vjeçaren Xhisiela Maloku, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.
"Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e Urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189 dt. 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë.Ai akuzohet për veprën penale "Përndjekja" parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme" njofton policia.
Masa e arrestit pas përgjimit ambiental me Xhisielën
Kërkesa për caktimin e masës është dorëzuar në gjykatë të shtunën nga prokuroria e Krujës, ndërsa togat e zeza të dielën caktuan masën e sigurisë "arrest me burg".
Shkak për dorëzimin e kërkesës në gjykatë është bërë një përgjim ambiental i djalit të deputetit gjatë ballafaqimit me Xhisiela malokun gjatë ditëve të fundit.
Burimet kanë bërë të ditur se në përgjimin ambiental, Rexhep Rraja flet për dhunën me Xhisiela Malokun duke implikuar vetëveten.
Arrestimi i tij vjen tri ditë pas dorëzimit në prokurori të ekspertizës mjeko-ligjore që tregoi shenja dhune në shpatullën dhe kofshën e djathtë të Xhisiela Malokut.
Mjekësia ligjore ka dorëzuar më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut, duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.
Më konkretisht, e reja ka gërvishtje në shpatullën dhe në kofshën e djathtë, disa prej të cilave të shkaktuara edhe me mjete prerëse.
Dëmtimi me cigare përputhet me dëshminë e vajzës
Prokuroria e Krujës tha se dëmtimi me cigare i evidentuar nga mjekësia ligjore, përputhet me përshkrimin e dhënë nga 25-vjeçarja për aktet e dhunës të ushtruara ndaj saj në një hotel në Rinas nga djali i deputetit.
Kjo dosje është hapur pas kallëzimit të bërë nga Xhisiela Maloku në datën 26 korrik 2018 në komisariatin e policisë nr.3 në Tiranë, pasi vajza ka pretenduar se është dërguar me forcë në hotel dhe është dhunuar nga Rexhep Rraja, me të cilin kishte një lidhje disa vjeçare. Vajza është marrë në pyetje 5 herë duke mos dhënë të njëjtat shpjegime.
Disa ditë më parë ky rast është denoncuar në media nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit.
Oficeri ka deklaruar se ishte kërcënuar në komisariatin e Policisë së Krujës për të mos hetuar djalin e deputetit, ndërsa atje kishte shkuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Rama: Mbështesim drejtësinë
Në një reagim në "Twitter", kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimin në Krujë duke thënë se ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, qeveria e mbështet drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë.
"Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund",-shkruan Rama.
