Në kohën kur polemikat dhe kundërshtimet e teatrit mbajnë në protestë artistë, arkitekti që projektoi godinën moderne Bjarke Ingels kërkon të mbyll diskutimin publik duke thënë se godina ekzistuese e ndërtuar në 1945, si një hapësirë argëtimi për ushtarakët italianë dhe nuk ka gjeometrine per te funksionuar si nje Teater Kombetar. 

 Një grup gazetarësh nga Tirana biseduan me arkitektin Ingels në Barcelon ku ai ishte pjesë e një konkursi arkitekture për vendet e Europës.  

 Bjarke Ingels: "Dy volumet e holla te godinave ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, nuk kane dimensionet fizike për të mbajtur një audiencë të madhe. Nuk ka hapësira për skenat anësore, çka do të thotë që nuk e ka lirinë për të krijuar larmishmëri në shfaqje, nuk ka lartësinë e mbiskenës, nuk ka një nenskene: pra teatri nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar."

 Por a mund të rikonstuktohej godina ekzistuese?

 Bjarke Ingels: "Ne e studiuam me shume kujdes hapësirën dhe mundësinë e përdorimit të dy godinave ekzistuese, por ato janë jashtëzakonisht të ngushta. Gjithmonë të duhet edhe mundësia e lëvizjes së materialeve nga dy anët e skenës nëse ke një shfaqje te madhe si për shembull Otello, Hamleti apo Mbreti Lear. Dhe mendoj se me shumë se pyetja a duhen mbajtur apo jo dy godinat e ndërtuara me qëllim argëtimin e ushtarakëve, pyetja është a duhet të ketë qendra e Tiranës një teatër të vërtetë Kombëtar, të projektuar dhe ndërtuar me qëllim që të jetë Teater Kombetar."

Është njohur me protestën dhe qëndrim kundër në Tiranë, por thotë se me vonë do të kuptohet se Teatri është projektur për të ardhmen e artistëve. 

Bjarke Ingels: " Mendoj se njerëzit e shqetësuar për të ardhmen e Teatrit Kombetar do të kuptojnë se ajo që kemi projektuar për ta është e duhura."

Një situate e ngjashme-thotë arkitiketi ka ndodhur dhe në Barcelon në vitet '80

Bjarke Ingels:  "Shumë prane me hapësiren ku ndodhemi (Qëndra Kulturore Bashkëkohore të Barcelones), është Muzeu i Artit Bashkëkohor të Barcelones. Edhe në këtë hapësirë ndodheshin disa ndërtesa ushtarake të vjetra në atë kohë që u shembën. Patjetër që edhe atëherë kishte njerëz të shqetësuar që pyesnin çpo ndodh, përse po i ndryshoni gjërat, çfare do të ndërtohet. Por mendoj se po ata njerëz sot, 30 vjet më vonë, janë tejet të lutmur që morën këto vendime të rëndësishme në vitet '80, dhe mendoj që Tirana ndodhet ne nje moment te ngjashëm sot."

Për arkitektin Bjarke Ingels Teatri Kombëtar i Shqipërisë do të ndërtohet në kufij të sheshit Skënderbej. Është projektuar që e gjithë hapësira funksionale e teatrit, skenat anësore, nënskena, mbiskena, dhe aty ku stafi i teatrit do të përgatisë shfaqjet apo skenarin do të jenë transparente për kalimtarët e rastit që ecin në qendrën e Tiranës. 

/Ora News.tv/