Arabët kërkojnë njohjen e Palestinës si shtet

Arabët kërkojnë njohjen e Palestinës si shtet

Pas vendimit të Presidentit të SHBA, Trump, për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, Liga Arabe ndërmerr kundërgoditje diplomatike. Diskutohen edhe sanksione kundër SHBA.

Ministrat e Ligës Arabe në një mbledhje urgjente në Kairo u bënë thirrje SHBA që ta tërheqin vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Veprimi i Presidentit Donald Trump është "një shkelje e rrezikshme e së drejtës ndërkombëtare", thuhet në një deklaratë të ministrave të publikuar të dielën.

Me vendimin e tij Trumpi legalizon pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli, kritikoi sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit. Me këtë ai iu referua pushtimit dhe aneksimit të mëvonshëm të Izraelit Lindor nga Izraeli në luftën gjashtëditëshe më 1967.

Përpjekja e Trumpit ngre edhe "çështje të rolit (të SHBA) dhe detyrimeve të tyre për forcimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon" - dhe kjo jo vetëm në Lindjen e Afërme, por në të gjithë botën, plotësoi Gheit. Si reagim tani të gjitha shtetet e botës duhet të njohin si shtet Palestinën me kryeqytetin e saj Jeruzalemin Lindor, kërkoi sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.

Të njëjtën kërkesë e shtroi edhe ministri i Jashtëm palestinez Riad al Malki. Njëkohësisht ai i bëri thirrje Ligës Arabe që të paraqesë një projektrezolutë në Kombet e Bashkuara, e cila të dënojë vendimin e SHBA. Në Ligën Arabe bëjnë pjesë 21 shtete nga Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut së bashku me rajonet e autonomisë palestineze.

Sanksionet kundër SHBA?

Libani foli për sanksione të shteteve arabe kundër SHBA, për ta penguar zhvendosjen e planifikuar të ambasadas amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. "Masa parandaluese duhen marrë kundër këtij vendimi", kërkoi ministri i Jashtëm Gebran Bassil. Fillimisht këto do të jenë masa diplomatike. "Pastaj sanksione politike, ekonomike e financiare".

Javën që kaloi Trumpi njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Izraeli pretendon se i gjithë Jeruzalemi i pandarë i përket atij. Palestinezët duan që ta shpallin Jeruzalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli si kryqytet të një shteti të ardhshëm palestinez.

Hamasët radikalë islamikë u bënë thirrje sërish palestinezëve që të hidhen në kryengritje (Intifada) kundër Izraelit, pas vendimit të Trumpit. Në Jordanin Perëndimor, në Jeruzalemin Lindor dhe në Rripin e Gazës pati sërish trazira.

"Fushatë denigruese e tmerrshme kundër nesh"

Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu i kritikoi reagimet evropiane për vendimin e Trumpit për zhvendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzale. "(Nga Evropa) dëgjoj shumë zëra, të cilat e dënojnë deklaratën historike të Presidentit Trump. Por nuk kam dëgjuar ndonjë dënim të goditjes me raketa kundër Izraelit...dhe të fushatës së tmerrshme denigruese kundër nesh," deklaroi Netanjaju. Sot (11.12.2017) për këtë temë do të mblidhen në Bruksel ministrat e Jashtëm të BE./DW

EMISIONET