Tirane- Pas një interviste në MAPO, e cila solli reagim të ashpër, Maks Velo i dërgoi dje gazetës një letër që botohet e plotë, në të cilën thotë se kërkon falje dhe tërhiqet nga deklaratat që fyejnë veriorët dhe myslimanët, që në shumicën dërrmuese jetojnë me punë të ndershme, respektojnë ligjin dhe jetojnë në paqe. Maks Velo u kërkon falje veriorëve dhe tërhiqet nga thëniet për myslimanët. Ai thotë se ka gabuar kur ka bërë përgjithësime dhe se tërhiqet nga deklaratat që përgjithësojnë dhe u kërkon falje veriorëve dhe myslimanëve, shumicës dërrmuese të tyre që jetojnë me punë të ndershme, respektojnë ligjin dhe jetojnë në paqe. Një intervistë e vetëm pak kohëve më parë, kur Velo i pyetur nga gazetari Alfred Lela, nëse ishte Antiverior dhe Antimysliman, u përgjigj pozitivisht duke shtuar edhe ato që ai i quan argumente të këtij qëndrimi, solli një debat të ashpër në publik, ku pjesa më e madhe u rreshtuan kundër Velos; një pjesë duke iu përgjigjur me gjuhë të ashpër. Dje, Maks Velo, përmes një letre dërguar në MAPO thotë se tërhiqet, edhe pse duke lënë mundësi interpretimi nga ato që ka thënë pas reagimit të lexuesve dhe kërkesës së Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sa i përket “veriorëve”, të cilët Velo i sulmon në intervistë duke e quajtur Veriun si “tmerri i Europës”, piktori tërhiqet duke kërkuar falje, por jo pa thënë se askush nuk kishte sjellë kundërargumente për ato që ai kishte thënë. “Në përgjigjen për pyetjen 2, unë jap disa fakte që janë reale (sepse asnjë nuk i rrëzoi), por gabimi im qëndron në atë se nuk kam theksuar në mënyrë eksplicite se këto vepra i kanë kryer persona të përveçëm, të ndëshkuar nga ligji”, thotë Velo në reagimin për veriorët. Në intervistë ai akuzoi veriun si pjesën më të kriminalizuar të vendit, duke pretenduar se kishte prova për këtë. “Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj”, thoshte ai. Ndërsa më herët kishte vënë në dukje edhe se sipas tij, forcat e sigurisë ia hoqën orën nga dora presidentit të SHBA-së “nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?”. Por Velo thotë se tërhiqet nga kjo pjesë e intervistës. Duke vënë në dukje se ai nuk kishte diferencuar njerëzit e ndershëm dhe punëtorë prej deklaratës, Velo shkruan: “Jo pjesa tjetër e komunitetit, jo ata (që janë shumica dërrmuese) që janë njerëz të ndershëm dhe jetojnë me punë, dhe respektojnë rendin dhe ligjin. Për këtë, iu kërkoj falje gjithë atyre që janë prekur, dhe i tërheq ato argumente ashtu si janë shkruar”. Me të njëjtën frymë Velo është tërhequr edhe nga pjesa tjetër e intervistës, ku flet për myslimanët. “Nuk kam asgjë dhe jam në paqe me Komunitetin Mysliman në vendin tonë. Tërheq nga intervista ato pjesë që kanë prekur myslimanë paqësore, të ndershëm dhe punëtorë, qytetarë të denjë të Shqipërisë”, thotë ai si pjesë e reagimit. Velo në intervistë kishte thënë se ishte antimysliman prej 500 vitesh, madje duke folur figurativisht ai thoshte se “kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara”. Por dje në reagim, qëndrimi ka qenë tjetër. Ai thotë se e ka vetëm me terroristët që janë bërë pjesë e atij që njihet si Shteti Islamik apo organizatave terroriste dhe bën diferencimin mes këtyre dhe myslimanëve të tjerë apo Komunitetit Mysliman. “Po ashtu, në përgjigjen e pyetjes së tretë doja të thosha se jam kundër pjesës terroriste të islamit, si Al Kaeda, Nusra apo ISIS-i. Jam me deklaratën e Komunitetit Mysliman Shqiptar që i dënon këto organizata. Jam pro vendimit të OKB-së dhe koalicionit ndërkombëtar kundër shtetit të deklaruar të ISIS-it. Nuk mohohet se aty ka edhe persona nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria”, thotë Velo duke vlerësuar se shtetet si Shqipëria dhe Kosova kanë bërë ligje kundër këtyre personave. V.Karaj Letra e plotë e Maks Velos, dërguar MAPO-s Duke parë reagimin e mjaft lexuesve dhe kërkesën e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Ju lutem të botoni në Gazetën tuaj, në të cilën edhe dhashë intervistën, këtë tërheqje publike për disa nga deklaratat e mija të botuara aty. TËRHEQ PUBLIKISHT DISA PJESË TË INTERVISTËS. Kam parasysh intervistën e dhënë gazetarit Alfred Lela në MAPO Weekend të datës 6-7 Shtator 2014. Bëhet fjalë për pyetjet 2 dhe 3. Në përgjigjen për pyetjen 2, unë jap disa fakte që janë reale, (sepse asnjë nuk i rrëzoi), por gabimi im qëndron në atë se nuk kam theksuar në mënyrë eksplicite se këto vepra i kanë kryer persona të përveçëm, të ndëshkuar nga ligji. Jo pjesa tjetër e komunitetit, jo ata (që janë shumica dërrmuese) që janë njerëz të ndershëm dhe jetojnë me punë, dhe respektojnë rendin dhe ligjin. Për këtë iu kërkoj falje gjithë atyre që janë prekur, dhe i tërheq ato argumente ashtu si janë shkruar. Po ashtu në përgjigjen e pyetjes së tretë doja të thosha se jam kundër pjesës terroriste të islamit si Al Kaeda, Nusra apo ISIS-I. Jam me deklaratën e Komunitetit Mysliman Shqiptar që i dënon këto organizata. Jam pro vendimit të OKB-së, dhe koalicionit ndërkombëtar kundër shtetit të deklaruar të ISIS-it. Nuk mohohet se aty ka edhe persona nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar kanë aprovuar edhe ligjet përkatëse. Nuk kam asgjë dhe jam në paqe me Komunitetin Mysliman në vendin tonë. Tërheq nga intervista ato pjesë që kanë prekur myslimanë paqësorë, të ndershëm dhe punëtorë, qytetarë të denjë të Shqipërisë./ Maks Velo/ Tiranë 10 Tetor 2014 V.Karaj Marrë nga Mapo  

/Ora News.tv/