Antarktida po humbet akullin me një ritëm të përshpejtuar. Satelitët që monitorojnë gjendjen e kontinentit të bardhë tregojnë se rreth 200 miliardë ton akull në vit tani po humbet në oqean si rezultat i shkrirjes.

Kjo ka sjellë rritjen e nivelit global të detit me 0.6mm në vit.

Shkencëtarët kanë publikuar statistikat e fundit në revistën Nature. Qeveritë do të duhet të marrin parasysh informacionin dhe tendencën e saj përshpejtuese si edhe duhet të planifikojnë mënyrë mbrojtjeje për komunitetet në zonat bregdetare të ulta.

Hulumtuesit thonë se humbjet po ndodhin kryesisht në Perëndim të kontinentit, ku ujrat e ngrohta po shkrijnë akullnajat që përfundojnë në oqean.

"Në Antarktidë është shumë ngrohtë, rreth gjysmë gradë celcius më ngrohtë sesa temperatura që kontinenti mund të përballojë dhe po shkrihet rreth 3 metra akull nga baza e saj çdo vit dhe kjo ka shkaktuar rritjen e nivelit të detit,"-tha Prof. Andrew Shepherd për BBC News.

Agjencitë hapësinore kanë fluturuar satelitët mbi Antarktidë që nga fillimi i viteve 1990. Evropa, në veçanti, ka një rekord të pandërprerë të vëzhgimit që nga 1992.

Në Antarktikun Perëndimor, i cili dominohet nga akullnajat që përfundojnë në det, humbjet e vlerësuara janë rritur nga 53 miliardë në 159 miliardë ton në vit gjatë periudhës së plotë nga 1992 në 2017.

Në Gadishullin Antarktik humbjet janë rritur nga shtatë miliardë në 33 miliardë tonë në vit. Lindja e Antarktidës, pjesa më e madhe e kontinentit, është e vetmja zonë që ka treguar një zhvillim.

Globalisht, nivelet e detit po rriten me rreth 3mm në vit. Kjo shifër nxitet nga disa faktorë, duke përfshirë zgjerimin e oqeaneve. Por ajo që është e qartë nga vlerësimi më i fundit Imbie është se Antarktida po bëhet një lojtar i rëndësishëm.

"Një rritje e trefishtë tani e vë Antarktidën në kornizë si një nga kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e nivelit të detit,"-tha Prof. Shepherd.

Në total, Antarktida ka derdhur rreth 2.7 triliardë ton akull që nga viti 1992, që korrespondon me një rritje të nivelit të detit në botë prej më shumë se 7.5mm.

/Ora News.tv/