Tashmë është zyrtare. Ansi Agolli është futbollisti më i ri i New York Cosmos. Edhe pse futbollisti i kombëtares shqiptare ishte bashkuar me skuadrën e Kategorisë së Parë në MLS, zyrtarizimi te klubi i ri ka ardhur vetëm ditën e sotme.

Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare në internet të klubit me bazë në New York. Një operacion i cili e ka lënë pa fjalë ish-kapitenin e kuqezinjve, i cili për mediat vendase ka shtuar:

"Ndihem shumë rehat. Është si një familje brenda dhomës së zhveshjes. Jam shumë i ngazëllyer dhe pres me padurim ndeshjet dhe rezultatet me ekipin e ri. Në Shqipëri, kur të mendoni për futbollin amerikan, Cosmos është emri i parë që do iu vijë ndërmend. E di që klubi ka të bëjë me traditën dhe unë do të bëj çmos për të ndihmuar ekipin dhe ta mbaj traditën."-tha mes të tjerash Agolli.

Me superlativa për 36 vjeçarin e krahut të majtë kanë folur edhe zyrtarë të klubit amerikan.

"Ne jemi tepër të ngazëllyer për të pasur Ansi me ne këtë sezon.Përvoja e tij në lojë flet vetë dhe ne ndjehemi se ai do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në fushë. Ai do të ndikojë jo vetëm me aftësinë e tij, por edhe duke dhënë një shembull për lojtarët tanë më të rinj në ekip."-tha zv.presidenti, Joe Barone.

"Në pak ditë ai ka qenë këtu dhe janë të qarta cilësitë e tij. Tifozët e Cosmos do të gëzohen kur ta shikojnë në aksion. Edhe pse ka arritur shumë, ai është një lojtar i përulur i cili punon çdo ditë në stërvitje".-tha tekniku i New York Cosmos, Carlos Mendes.

Agolli firmos me New York Cosmos nga Qarabak, ku luajti në më shumë se 150 ndeshje, mes kampionatit, kupës dhe Kupave të Europës. Gjatë 10 viteve në Azerbajxhan, mbrojtësi i linjës së majtë fitoi 5 tituj kampion.

Në vitin 2005, Agolli bëri debutimin e tij për Shqipërinë gjatë një takimi kualifikues të Kupës së Botës 2006. Ai ka bërë 73 paraqitje me fanellën kuqezi. Agolli luajti në çdo minutë në Europianin e Francës 2016, ku në ndeshjen kundër Zvicrës mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit.



/Ora News.tv/