Shtyhet për në datën 14 shkurt vendimi për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, I akuzuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.

Avokati mbrojtjës tha se kanë kërkuar kohë për tu njohur me provat e prokurorisë. Ndërsa i pyetur se pse nuk dorëzohet ish-zyrtarë i policisë, avokati nuk pranoi të flasë.

"U paraqitën provat nga ana e Prokurorisë, pasi u relatua nga ana e Prokurorisë u kërkua koha nga ana jonë që të njiheshim me këto prova dhe më pas të paraqisnim pretendimet. Prokuroria ka pasur mundësinë që ti kryente edhe më përpara, ka patur kohën e nevojshme. Duhet të njihemi me provat që ka paraqitur pastaj do ndalim me konkluzione të tjera". 

Pak ditë më parë Çela ankimoi zgjatjen e afateve të fundit të hetimeve që prokuroria ka bërë ndaj tij.

Çela ndodhet prej rreth një viti ne arrati pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën "arrest në burg" në mungesë në nëntor të 2017-ës, së bashku me ish-zyrtarin tjetër të policisë Gjergji Kohilën.

Ata dyshohet se kanë favorizuar grupet kriminale gjatë viteve 2015-2016 për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike por që prej nisjes së hetimeve organi i akuzës ka zgjatur tre herë hetimet për të akuzuarit.

Më herët, organi i akuzës, mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtarë të grupit Habilaj, por ndau dy dosjet që po hetoheshin bashkë, atë të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

/Ora News.tv/