Të bësh biznes në Shqipëri nuk është e lehtë për kompanitë vendase, e veçanërisht ato të huaja, që kanë eksperiencën e tregjeve të tjera me rregulla të qarta loje. 

E duket se mungesa e këtyre rregullave, që reflektohet me ndryshimin e shpeshtë të ligjeve dhe taksave, në moszbatimin e tyre, burokracive me administratën që më pas çon në korrupsion janë sëmundje, nga të cilat duket se nuk po shpëtojmë dot. 

Shoqata e Investitorëve të Huaj ia ka bërë vazhdimisht të qartë këtë qeverive të ndryshme në vite. Ia paraqiti kryeministrit Rama 4 vite më parë kur erdhi në pushtet nëpërmjet Librit të bardhë, një dokument që përmban problematikat dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre. 

Libri i bardhë iu dorëzua sërish kryeministrit që tashmë ndodhet në mandatin e tij të dytë. Disa probleme janë të njejta, disa të tjera kanë marrë zgjidhje, por sfida ende të mëdha e presin Shqipërinë për të qenë atraktiv në sytë e investitorëve të huaj. 

"Këto çështje që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë, paparashikueshmërinë, nuk po flas vetëm për  për qeverinë por të gjitha institucionet në vend, ne na duhet të mbështetemi tek të gjitha këto pjesë".

Qato: Investitorët e huaj kanë nevojë për mjedis të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm, ku eleminimi i praktikave korruptive duhet të jetë një realitet i sigurtë.

Sfida për të krijuar një klimë të mirë biznesi është e përbashkët. E investitorëve për të maksimizuar fitimet dhe e qeverisë për të tërhequr sa më shumë kapital të huaj, aq shumë i nevojshëm veçanërisht këtë vit, ku rritja ekonomike është parashikuar rreth 4% dhe një ndër burimet që duhet ta ushqejë atë, janë pikërisht investimet e huaja.

 Gazsjellësi TAP dhe Hidrocentrali i Devollit, dy projektet madhore që deri tani kanë mbajtur peshën kryesore të investimeve të huaja po përfundojnë. Qeveria duhet të gjejë të tjera dhe starti nis me klimën.  

/Ora News.tv/