Anija humanitare Aquarius me 629 emigrantë klandestinë që një ditë më parë nuk u lejuan të zbresin në portet italiane është shndërruar në një rast diplomatik me polemikë të fortë mes Italisë dhe Francës.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë mbledhjes së qeverisë së tij ka akuzuar Italinë si cinike dhe të papërgjegjshme në vendimin për t'i mbyllur portet anijeve me emigrantë që kapërcejnë Mesdheun.

Ndaj kësaj akuze ka reguar me një notë zyrtare Kryeministria italiane e cila shprehet se "deklaratat qe vijnë nga Francia janë të papritura e shfaqin një mungesë serioze të informacionit ndaj asaj c'ka po ndodh në të vërtetë. Italia nuk mund të pranojë leksione hipokrite nga vende që ndaj çështjes së emigracionit kanë preferuar të kthejnë kokën nga ana tjetër".  

"Italia nuk i ka braktisur 700 personat në anijen Aquarius por i ka monitoriuar gjatë gjithë kohës me dy anije patrullimi duke i ofruar ndihmë mjekësore e kërkuar që të zbrisnin në tokë gratë shtëtëzëna e fëmijët. Por nga bordi i anijes ka ardhur refuzimi se nuk ka asnjë emergjencë të tillë"vijon më tej deklarata.

Ndërkohë Ministria e Jashtme italiane ka thirrur në takim Ambasadorin francez në Romë për t'i shprehur qëndrimin e qeverisë italiane ndaj akuzave të rënda që vijnë nga Parisi.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, njëkohësisht dhe zëvendës/ kryeministër  ka reaguar duke u shprehur se "Ambasadori francez është thirrur në Ministrinë e Jashtme në emër të popullit italian për të dhënë shpjegime për fyerjet që Franca i ka bërë jo vetëm qeverisë italiane por dhe popullit italian i cili është i pari në botë për zemërgjerësinë, mikëpritjen e ndihmën vullnetare. Nëse francezët, tha Salvini, kanë përulësinë për të kërkuar falje atëherë gjithçka është si më parë, e jemi miq si më parë."

"Nuk mund të pranojmë fyerje nga ata që kthejnë pas emigrantë e mbyllin ura", ka përfunduar Ministri i Brendshëm italian.

Po ndaj deklaratave të Francës ka reaguar dhe zëvendës/kryeminsitri e lideri i Lëvizjes 5 Yje Luigi Di Maio.

"Është e turpshme, tha ai, që Franca e Spanja bëjnë sot moral kur këto vende prej kohësh kanë mbyllur portet.

Franca, thotë Di Maio, kthen pas çdo ditë emigrantë në kufirin e Ventimiglias.

"Italia ka sot një qeveri të re e asgjë nuk do të jetë më si më parë."


/Ora News.tv/