Një anije shpëtimi me 629 emigrantë në bord është bllokuar në Mesdhe, pasi Ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini nuk i dha leje që të ankorojë në portet e Italisë.

Bëhet fjalë për anijen Aquarius të organizatës bamirëse gjermane SOS Meditterranee, e cila shpëtoi qindrat e emigrantëve në ujërat libiane.

Salvini tha se është Malta që duhet t’i marrë ata emigrantë, diçka që është hedhur poshtë nga autoritetet malteze.

“Malta nuk pranon askënd. Franca i ndalon njerëzit në kufi, Spanja e mbron kufirin me armë. Nuk është e mundur që Malta t’i thotë jo çdo kërkese ndihmë, pasi në fund të fundit, zoti e ka vendosur më pranë Afrikës se sa Sicilia”, deklaroi Salvini.

Por sipas autoriteteve malteze, emigrantët u shpëtuan në ujërat libiane dhe janë nën juridiksionin e Italisë.

Për me tepër, Malta as nuk është përfshirë dhe as koordinuar me aktorë të tjerë për shpëtimin e tyre, si gjithnjë.

Ndërsa debati vazhdon, qindra e emigrantëve kanë mbetur në det dhjetëra kilometra larg Italisë dhe Maltës.

Agjencia e OKB-së për emigrantët u bëri thirrje shteteve të përfshira që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë dhe të lejojnë zbarkimin e emigrantëve.

Shumë nga emigrantët u shpëtuan në ujërat e kontrolluara nga Libia, një rrugë e zakonshme për emigrantët pa dokumente që përpiqen të hyjnë në Evropë nga Afrika Sub-Sahariane.

Rreth 400 u shpëtuan nga Marina italiane, rojet bregdetare italiane dhe anijet tregtare përpara se të transferoheshin tek anija Aquarius.




/Ora News.tv/