Bundestagu gjerman i ka dhënë fund pritjes së gjatë pas zgjedhjeve federale, duke rizgjedhur Angela Merkel si kancelaren e vendit. Ligjbërësit votuan 364 me 315 në favor të Merkel, ndërkohë që 9 deputetë abstenuan, një fillim modest ky për kancelaren, pasi koalicioni i konservatorëve të saj dhe Social-Demokratëve të qendrës së djathtë ka 399 vota në dhomën e ulët të parlamentit.

Por rizgjedhja e Merkel nuk kaloi pa incidente. Gjatë kohës që kancelarja largohej nga parlamenti për t’ju drejtuar presidencës, një person i paidentifikuar është përpjekur ta pengojë, duke kërkuar që Merkel ta ndihmonte. Dy oficerë të policisë ndërhynë për të qetësuar situatën.

Ky mandat i katërt me gjasa do të jetë i fundit për zonjën Merkel dhe shihet si më sfiduesi për të. Kancelarja nuk gëzon më mbështetjen e dikurshme, ndërkohë që edhe koalicioni i saj me Social-Demokratët shihet si një aleancë e brishtë, e arritur vetëm pas shumë sakrificash të të dy partive në raport me njëra-tjetrën. Për kundërshtarët e Merkel, diferenca e vogël në rizgjedhjen e saj, tregon se kancelarja ka humbur autoritetin e saj, ndërkohë që koalicionit qeverisës i mungon dëshira për të ndryshuar politikën e vendit dhe shoqërinë.

/Ora News.tv/