Analistët: Kosova nuk mund të përfitojë territor, pa përfituar Serbia

Analistët: Kosova nuk mund të përfitojë territor, pa

Tema e korrigjimit të kufijve dhe ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të krijojë probleme jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin. Madje, nëse flitet që Lugina e Preshevës të kalojë në territorin e Kosovës, kjo sipas analistëve nënkupton që edhe veriu kalon në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencat e mbajtura po e potencon se do të ketë korrigjim të kufijve.

Sipas tij, në kuadër të korrigjimit të kufijve është e pranueshme kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

“Në asnjë rrethanë dhe çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratave për ndarjen e Kosovës. Sa i përket korrigjimit të kufijve, kemi rreth 400 km kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet t’i vëmë, sepse ne duhet të përmbyllim shtetformimin”, tha Thaçi.

E këto deklarata janë të papranueshme për analistët, duke thënë se nëse bisedohet me Serbinë për shkëmbim të territoreve atëherë edhe Serbia nuk pranon kompromis pa përfituar diçka.

Artan Murati, nga KDI-ja, tha për Kallxo.com, se Lugina e Preshevës duhet të diskutohet në tavolinë me Serbinë, jo për shkëmbim territoresh por për të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Ai tha se duhet të kërkohet reciprocitet për shqiptarët e Luginës. 

Në të kundërtën, sipas Muratit, shkëmbimi i territoreve shkakton probleme të reja në gjithë Ballkanin.

“Lugina duhet të jetë temë e diskutimit absolutisht por, duhet të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Unë personalisht jam me prejardhje prej asaj ane dhe shqiptarët janë të margjinalizuar në secilin aspekt në luginë të Preshevës dhe ju mungojnë të drejtat elementare dhe për këtë duhet të kërkohet reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë, duhet të kërkohet që populli shqiptar në Luginë të Preshevës të trajtohet me dinjitet dhe t'u ofrohen të gjitha kushtet për jetesë përfshirë edhe të drejtën e gjuhës e kështu me radhë, mirëpo shkëmbimi i territoreve nuk mendoj se do ta zgjidhte këtë problem. Vetëm se mund të krijojë probleme të reja jo vetëm Kosovë e Serbi po në gjithë Ballkanin”, tha Murati.

Sipas Muratit, këto tema që po qarkullojnë në opinion janë të rrezikshme.

“Këto tema ose këto ide janë të rrezikshme të cilat po qarkullojnë nëpër opinionin publik për vetë faktin se jemi gjithë të vetëdijshëm nëse fitet për konsensus edhe nëse kërkohet konsensus me shtetin e Serbisë në anën tjetër thuhet se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën atëherë automatikisht kuptohet që edhe Kosova do të japë diçka prej vetes, në këtë rast është sipas gjitha gjasave komunat veriore”, tha Murati duke shtuar se kjo nuk është një ide e qëlluar dhe vështirë e besueshme se do të ndodhë.

Ai tha se territori i Kosovës duhet të ruhet me çdo kusht dhe se duhet të sigurohen të mos bëjnë marrëveshje të dëmshme për vendin dhe qytetarët.

Arton Demhasaj nga Çohu, tha për Kallxo.com se gjasat për të ndodhur një gjë e tillë janë të vogla pasi që kjo lëvizje nuk mund të ndodhë.

Sipas tij, shkëmbimi i territoreve nuk mund të ndalet vetëm në Kosovë e Serbi por në gjithë Ballkanin.

“Mendoj që shkëmbimi i territoreve po përmendet që pastaj me shku drejt asaj që me pas sa më shumë kompetenca për Asociacionin e komunave serbe”, tha Demhasaj.

Sipas tij, deri më tash kanë dëgjuar nga ana e presidentit të Kosovës për anën e Luginës së Preshevës, që të bëhet korrigjimi i kufirit që ajo pjesë t'i bashkohet Kosovës. Por, asnjëherë, sipas tij, nuk kanë dëgjuar edhe anën tjetër që nëse Kosovës i bashkohet Lugina e Preshevës ekziston rreziku që edhe veriu t'i bashkohet Serbisë.

“Deri tash nuk kemi dëgjuar diçka të tillë por në parim nëse ndodh të flitet që Lugina e Preshevës t'i bashkohet Kosovës atëherë pritet që edhe veriu me iu bashku Serbisë. Serbia nuk lejon të preket tërësia territoriale pa përfituar ajo diçka”, tha Demhasaj.

Lidhur me këtë temë sot ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Ilir Deda, i cili i ka dërguar letër të hapur, presidentit Hashim Thaçi, lidhur me deklaratat për korrigjim të kufijve.

Sipas Dedës, deklaratat e Thaçit nënkuptojnë ndarjen e Kosovës dhe se janë veprime antishtetërore dhe ka kërkuar nga Thaçi të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Edhe Partia Social Demokrate e Kosovës, i ka ftuar dje deputetët e Kosovës, që ta ndërpresin pushimin dhe të kthehen në Kuvend për ta votuar rezolutën e tyre, për dialogun me Serbinë.

Drejtuesit e Partisë Sociale Demokrate kanë kërkuar që Kuvendi t'i rikthehet punës dhe të vendosë për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, pasi që, sipas tyre, mënyra se si është duke u zhvilluar aktualisht ky dialog do të ketë pasoja edhe për dekadat e ardhshme për shtetin e Kosovës.


EMISIONET