Kosova e Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet në muajin e ardhshëm, në një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Deri më tani autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se arritja e marrëveshjes pritet të ndodhë brenda një periudhë nëntë muajshe.

Por, çështja më e debatueshme është se cilat do të jenë kompromiset që duhet t’i bëjnë të dyja vendet në mënyrë që ky proces të përmbyllet.

Presidenti i Serbisë, Alëksandër Vuçiç vazhdimisht thekson se të dyja palët duhet të humbin ngapak, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaci thekson se të dyja palët duhet të përfitojnë nga ky proces.

Analistët në Prishtinë thonë se me marrëveshjen e re pritet që Serbia të bëjë hapa përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian ndërsa Kosovës pritet t’i ofrohet anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti në një bisedë me Zërin e Amerikës se marrëveshja e ardhshme duhet të jetë e tillë që të mos lejojë paqartësi në të ardhmen. Ai thotë se njohja e ndërsjellë do të jetë e vështirë pasi që sipas tij për këtë çështje ka edhe mungesë të bashkërendimit ndërmjet vendeve kryesore perëndimore.

Zoti Rashiti thotë se bisedimet pritet të jenë shumë të ndërlikuara.

“Ideja është çfarë kërkon (Aleksandër) Vuçiç dhe qeveria serbe në kompensim të dhënies ose konsensusit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe krejt kjo betejë që bëhet për heqjen e njohjeve për pengimin në anëtarësimet ndërkombëtare bëhet për të rritur pazaret në fund, e ky pazar ka të bëjë kryesisht me statusin e serbëve të cilët ata duan natyrisht një autonomi shumë më të gjere se sa edhe që asociacioni e ofron”, tha zoti Rashiti.

Labinot Greiçevci nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje që të arrijnë marrëveshje me Serbinë pasi që është në të mirën e konsolidimit të shtetësisë së saj.

“Nëse nuk do të kemi një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë deri në qershorin e vitit të ardhshëm atëherë janë gjasat reale që kjo çështje do të mbetet edhe për një dekadë të ardhshme dhe nëse vazhdon kjo gjendje mendoj se humbësja më e madhe në këtë aspekt ose në këtë kontekst ëhstë vet Kosova sepse ka nevojë që të tejkalojë këtë gjendje dhe të vazhdojë konsolidimin e jashtëm dhe të brendshëm”,tha zoti Greiçevci.

Analistët procesin përfundimtar të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë e shohin të vështirë. Ndërsa ndajnë mendime të ndryshme për përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën.

“Ky proces do të jetë më i vështirë se sa i viteve 2007 e 2008 në Vjenë ku kishte një bashkërendim të madh të faktorit ndërkombëtarë dhe nja makineri e cila rregullonte dhe mirëmbante procesin në tërësi. Tani nuk e kemi, kemi një vullnet por nuk kemi bashkërendim për këtë temë dhe nuk jam i sigurt që do të ketë dhe për të qenë më optimist se procesi do të përmbyllet do të duhet të shohim një bashkërendim Bashkim Evropian-Gjermani-Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse duam të shohim një përmbyllje të saktë të procesit. Deri më tani kemi parë vullnet por jo edhe veprime”, tha zoti Rashiti.

“Është një momentum i ri ku kemi aktivizimin e akterëve kryesorë ndërkombëtarë të vendeve të Quint-it dhe kjo duhet të përdoret ose shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhja e kësaj nyje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht ky aktivizim i faktorëve ndërkombëtarë krijon një shpresë se mund të arrihet ajo marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë”, tha zoti Greiçevci.

Analistët thonë se anëtarësimi i Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara edhe pas një marrëveshje me Serbinë do të jetë i vështirë pasi që sipas tyre rol të rëndësishëm pritet të ketë Rusia e cila vazhdon të mbështesë qëndrimin e Beogradit kundrejt statusit politik të Kosovës.

Ata thonë poashtu se edhe nëse arrihet një marrëveshje në fillim të vitit të ardhshëm, zbatimi i saj në praktikë do të zgjatë për shkak të marrëdhënieve të ndera ndërmjet Kosovës e Serbisë./VOA

/Ora News.tv/