Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka zhvilluar një sërë fushatash në vend për të rritur edukimin financiar.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi, u ndal te rëndësia e edukimit financiar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve.

Ai theksoi se Autoriteti përveç angazhimit të nisur me fushata informuese në universitete, ka shkuar edhe më tej me një nismë për praktikat mësimore të studentëve.

Ervin Koçi: “Autoriteti ka koordinuar për herë të parë përgjatë këtij viti praktikat profesionale të rreth 300 studentëve, me shpërndarjen e tyre pranë shoqërive të tregjeve që ne mbikëqyrim. Kjo është një nismë me përfitim reciprok, ku në njërën anë studentët aftësohen dhe njihen nga afër me proceset e punës, ndërsa në anën tjetër, shoqëritë e kanë më të lehtë për të identifikuar dhe rekrutuar profesionistët e së ardhmes. Aktualisht, në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare po zhvillojnë praktikën mësimore 9 studentë, të cilët përgjatë një muaji marrin informacion të plotë dhe të gjithëanshëm në lidhje me të gjitha proceset e punës në Autoritet.”

Në konferencën e dytë të Edukimit Financiar në fokus kanë qenë   prezantimet e punimeve të realizuara nga studentët për të cilët u shpërndanë edhe disa çmime.

/Ora News.tv/