Ambasadorja franceze: Pa rezultat, s’ka negociata në 2019

Ambasadorja franceze: Pa rezultat, s’ka negociata në 2019

Ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Vasak, ka dhënë sinjalet e para se hapja e negociatave vitin e ardhshëm nuk do të jetë dhe aq e lehtë. Kjo sepse sipas saj koha po kalon shpejt dhe palët nuk po marrin seriozisht rekomandimet e Këshillit Europian në qershorin e kaluar.

Në 20 vjetorin e aleancës mes Shqipërisë dhe Francës, përfaqësuesja e Parisit në Tiranë, Christine Vasak, paralajmëroi se hapja e negociatave vitin tjetër nuk do të jetë dhe aq e lehtë.

Ambasadorja tentoi të shkundë politikën shqiptare dhe bëri thirrje që politikanët të marrin seriozisht rekomandimiet e Këshillit Europian në qershorin e shkuar.

Christine Vasak: Po afrohet muaji nëntor dhe koha ikën shpejt. Konkluzionet e Këshillit të 26 qershorit duhen marrë shumë seriozisht nga autoritetet shqiptare, jo vetëm me fjalë por edhe në praktikë. Mendoj se qeveria dhe opozita e dinë këtë gjë. Konkluzionet e Këshillit duhet të përkthehen në fakte. Dhe nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësim nëse nuk merrni seriozisht në praktikë këto konkluzione për të gjitha çështjet.

Reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, ishin dy nga kërkesat kryesore të Këshillit Europian si detyra shtëpie për Shqipërinë që të sigurojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në qershorin e vitit 2019.

Nga reforma në drejtësi tashmë priten rezultatet, ndërsa për reformën zgjedhore diplomatja franceze shprehet optimiste se do të përfundojë në kohë.

EMISIONET