Ambasadorja franceze: Muajt e ardhshëm vendimtarë për Shqipërinë

Ambasadorja franceze: Muajt e ardhshëm vendimtarë për

Ambasadorja franceze në Tiranë Christina Vasak paralajmëron politikën shqiptare se  muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, përsa i përket negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në ceremoninë e organizuar për ditën kombëtare të Francës, ajo ka cituar shkrimtarin e madh Ismail Kadare kur u shpreh se populli shqiptar ka luftuar me te gjithë forcën për të shmangur ndarjen nga Evropa. Ndaj ajo theksoi se ky hap është përgjegjësi e të gjithëve.

Christina Vasak: "Shteti më i ri në rajon, Shqipëria, nëse më lejohet të guxoj të citojë Ismail Kadarenë, është gjithashtu shteti më i hapur drejt ndërtimit evropian, sepse siç dëshmon historia, populli i tij ka luftuar me të gjithë forcën e tij, fizike dhe intelektuale, për të shmangur ndarjen nga kontinenti i tij natyror, Evropa.

Puna sapo ka filluar dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, përndryshe takimi që është lënë në qershorin e ardhshëm do të humbet, ose më keq akoma do të prishet.

Barra i bie klasës politike, shumicës dhe opozitës dhe ka të bëjë me të gjithë. Çdo qytetar, i njohur apo i panjohur, i pasur apo i varfër, i rritur apo fëmijë, e meriton atë."

Ambasadorja kërkoi më shumë punë për luftën ndaj krimit, ndërsa kërkoi respektimin e rregullave të shengenit prej shqiptarëve.

Christina Vasak: "Që shqiptarët të përfitojnë nga liria për të lëvizur është një gjë e mirë, por që ata të qëndrojnë në mënyrë të parregullt në BE kësaj i themi jo, dhe kjo duhet të ndalet".

Ambasadorja lajmëroi edhe një vizitë së shpejti në Shqipëri të presidentit Macron. Në këtë pritje merrnin pjesë ambasadorë të vendeve europiane dhe personalitete të shquara të politikës, si Presidenti Meta, ministra të kabinetit Rama, përfaqësues të biznesit, artit dhe kulturës shqiptare si dhe drejtues të medias.

14 korriku është Festa Kombëtare e Francës, ku festohen dy ngjarje, marrja e Bastijes, më 14 korrik të vitit 1789 , simbol i Monarkisë absolute, dhe Festa e Federatës të 14 korrikut 1790.

EMISIONET