Një takim kokë me kokë me Voltana Ademin, që ka zgjatur jo pak por dy orë. Kështu e nisi ditën e martë kreu i prezencës së OSBE në Shqipëri Bernd Borchard.

Burimet bëjnë me dije se në fokus të bisedës kanë qënë zhvillimet politike, zgjedhjet e 30 qershorit dhe rezultati që u prodhua, por në të njëjtën kohë edhe afrimi i datës së lirimit të zyrës nga Ademi.

Mësohet se kjo e fundit e ka informuar Ambasadorin mbi parregullësitë e procesit të votimeve të 30 qershorit dhe kontestimet e Partisë Demokratike, që sipas saj i shërbejnë vetëm demokracisë në vend.

Pas takimit në dalje kur Borchard u pyet nga mediat, pranoi se janë diskutuar shumë gjëra, mes tyre edhe zgjedhjet, por nuk pranoi të japë të tjera detaje mbi diskutimet me Ademin.

Vetë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës në një njoftim të shpërndarë për mediat thotë se janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kerkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit.

Më tej ajo sqaron se në kuadër të projektit të bashkëpunimit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për për një projekt të ri për mbështetjen e qëndrueshmërisë të administratës publike.

"Kryebashkiakja Ademi shprehu gatishmërinë personale dhe të administratës së Bashkisë se Shkodrës për të qenë pjesë e këtij projekti me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për administratën por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës" përmbyllet njoftimi.

Pritet që Voltana Ademi me 21 gusht të dorëzojë mandatin e kryebashkiakes tek pasardhësi i saj socialist Valdrin Pjetri.

/Ora News.tv/