Ambasadori britanik dhe OSBE reagojnë pas dënimit me 55 vite burg të Shullazit e bandës së tij

Ambasadori britanik dhe OSBE reagojnë pas dënimit me 55 vite burg

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman mirëpret vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shqipërisë pas dënimit me 14 vite burg të Emiljano Shullazit dhe me 41 vite burg anëtarëve të tjerë të bandës së drejtuar prej tij.

"Krimi i rëndë dhe i organizuar vazhdon të përkeqësojë ekonomitë tona, shkatërron jetë dhe dëmton komunitetet tona. Nuk duhet të ketë hapësirë të sigurt për kriminelët dhe krimin e organizuar për të vepruar", thuhet në reagimin e tij.

Për rastin, reagoi edhe zyra e OSBE-së në Shqipëri, duke theksuar se pret më shumë arrestime dhe dënime të kriminelëve të rrezikshëm.

"Prezenca e OSBE-së mirëpret vendimin e gjykatës për çështjen Shullazi. Gjithashtu, jemi të inkurajuar nga operacionet e muajve të fundit kundër krimit të organizuar dhe, së bashku me qytetarët shqiptarë që respektojnë ligjin, presim të shohim më shumë arrestime dhe dënime të kriminelëve të rrezikshëm. Mbështesim vendosmërinë e qeverisë së Shqipërisë për të përshkallëzuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kriminelët e kanë vendin në burg", thuhet në reagim.

Për rastin reagoi edhe ambasada amerikane dhe ajo gjermane.

Vendimi ndaj grupit të Emiljano Shullazit u dha një ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.


Dënimi për Emiljano Shullazin: 

12 vjet për akuzën "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj"

10 vjet burg për "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim".

I pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Jani Zaka.

I pafajshëm për shtrëngim të dhënies së pasurisë për shtetasin Adriatik Kërçuku, pasi nuk provohet fajësia e tij.

I pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Adriatik Kërçuku.

Deklarimin e pafajshëm të Emiljano Shullazit të kanosjes për shkak të detyrës për shtetasin Mynyr Koni, pasi nuk provohet fajësia e tij.

Deklarimin e pafajshëm të Emiljano Shullazit të kanosjes për shkak të detyrës në dëm të shtetasit Dhori Kule, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pasi nuk provohet fajësia e tij.

Deklarimin fajtor të shtetasit Emiljano Shullazi për grup të strukturuar kriminal, me 8 vite burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, për caktimin e dënimit për disa vepra penale, i pandehuri Emiljano Shullazi dënohet me një burgim të vetëm prej 14 vitesh burgim.

Gilando Dani 12 vite burgim:

11 vite burgim për akuzën "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj" në formë të grupit të strukturuar kriminal.

8 vite burgim "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

4 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Gilmando Dani për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Dani dënohet me një dënim të vetëm 12 vite burgim

Endrit Qyqja, 10 vite burgim: 

10 vite burgim për akuzën "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj" në formë të grupit të strukturuar kriminal.

3 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Endrit Qyqja për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Qyqja dënohet me një dënim të vetëm 10 vite burgim

Endrit Zela 10 vite burg

10 vite burgim për akuzën "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj" në formë të grupit të strukturuar kriminal.

3 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Endrit Zela për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Zela dënohet me një dënim të vetëm 10 vite burgim

Blerim Shullazi 9 vite burg

9 vite burgim për akuzën "shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zakaj në formë të grupit të strukturuar kriminal.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Blerim Shullazin për shkatërrimin e pronës me eksploziv ndaj shtetasit Jani Zakaj, kryer në bashkëpunim, pasi nuk provohet fajësia.

1 vit burgim për deklarimin fajtor të Blerim Shullazit për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.

2 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Blerim Shullazi për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Blerim Shullazi dënohet me një dënim të vetëm 9 vite burgim

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij zgjati 1 vit e katër muaj pas dërgimit të dosjes në gjykatë në korrik të vitit 2017

EMISIONET