Vetëm një orë larg protestës së thirrur nga opozita Ambasada Amerikane del me një deklaratë ku dënon dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. 

Ambasada amerikane i bën thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. 

Lexo me shume: Një orë para protestës, ambasada amerikane ka një thirrje për Bashën dhe Kryemadhin

 Menjëherë më pas erdhi edhe mesazhi nga selitë e tjera diplomatike të akrediutara në Tiranë të cilat dënojnë dhunën e ushtruar me 11 maj 2019 nga ana e protestuesve kundrejt institucioneve, por edhe forcave të policisë.

Ambasadat italiane dhe ajo britanike theksojnë se protesat duhet të jenë paqësore, ndërsa risollën në vëmendje se në protestën e 11 majit ku kishte dhe të plagosur.

Me pas erdhi dhe reagimi i ambasades gjermane. 

Deklarata e përbashkët e selive diplomatike Italiane dhe Britanike në Shqipëri:

E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore.

Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike.

Ambasada në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje.

Ambasada e Italisë dënon pa rezervë kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të papranueshme në një demokraci.

Së fundmi, Ambasada u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ndërkohë një reagim erdhi nga ambasada gjermane në Shqipëri, e cila teksa theksoi se pamjet e dhunës ishin të papranueshme, u kërkoi Bashës dhe Kryemadhit të dënojnë këto veprime.



Deklarata e Ambasadës Gjermane në Shqipëri:

Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.

 Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv.

/Ora News.tv/