Shoqata "Çamëria" thotë se ambasada greke në Tiranë ka bërë presion për të hequr stendën e librave për Çamërinë në Panairin e Librit që po zhvillohet pranë Muzeut Historik Kombëtar.

Reagimi i plotë: 

Ambasada greke në Tiranë, pa asnjë justifikim, ka kërkuar heqjen e stendës me librat për Çamërinë te Panairi i Librit që po organizohet te Muzeu Kombëtar. Përfaqësues të lartë të Ambasadës kanë shkuar te Shtëpia Botuese "Çamëria"dhe te organizatorët e Panairit të Librit, duke u bërë presion për të hequr këtë stendë. Përfaqësuesit e Ambasadës greke janë shprehur se për heqjen stendës "kanë folur edhe me Ministrin Ditmir Bushati.

Shoqata Patriotike “Çamëria” dënon këtë veprim anti-ligjor. Ministria e Jashtme t'i kërkojë Ambasadës greke të mos ndërhyjë në punët e Brendshme të Shqipërisë, se ndryshe ne do të përshkallëzojmë dhe ashpërsojmë qëndrimet tona, në mbrojtje të çështjes çame.

Shoqata Patriotike “Çamëria” nuk do lejojë që presioni grek të heqë këtë stendë dhe i kërkon z.Ditmir Bushati të shprehet për këtë çështje.

Shpresojmë që z.Bushati të mos bëhet pjesë e "lojrave greke" duke rënë dakort që të hiqet një stende më librat për Çamërinë.

Gjithashtu ne i kërkojmë Ambasadës Greke që të tërhiqet nga kjo kërkesë.

Librat për Çamërinë do të qëndrojnë aty, që çdokush të lexojë për historinë e shqiptarëve të Çamërisë që u larguan me forcë nga trojet e tyre.

Edhe në këto momente përfaqësuesit grek po qëndrojnë te Muzeu Kombëtar, duke kërkuar heqjen e stendës “Çamëria”.

/Ora News.tv/