Ambasada e SHBA-së në Beograd ka demantuar raportimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar plan për marrëveshjen obliguese mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ambasada amerikane në Serbi ka thënë se nuk ka propozuar ndonjë plan për këtë marrëveshje, plan ky që sipas disa mediave serbe, ishte refuzuar nga presidenti, Aleksander Vuçiq.

Aty theksohet se SHBA-të vazhdojnë të mbështesin dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe bëjnë thirrje që këto bisedime të vazhdojnë.

“Amerika vazhdon ta mbështesë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne kemi folur për ide të ndryshme me liderët serbë dhe ata kosovarë, po ashtu edhe me përfaqësues të BE-së, mirëpo nuk kemi paraqitur ndonjë propozim”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Ditë më parë gazeta serbe “Novosti” shkruante se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë një dokument pune, lidhur me zgjidhjen e çështjes së  Kosovës i njohur si “paketa amerikane”. 


/Ora News.tv/