Drejtori i policisë së Elbasanit kërkoi ndihmën dhe bashkëpunimin e komunitetit për të ruajtur një rendin dhe sigurinë e qytetit, i cili në të shkuarën e afërt kaloi "sfida pasigurie"

"Një përqindje e ulët e individëve me prirje kriminale nuk mundet kurrësesi të prishin jetën dhe normalitetin e pjesës dërrmuese të popullsisë" deklaroi drejtori i policisë vendore të Elbasanit, Altin Qato në forumin e Sigurisë Publike që po mbahet në pallatin e Sportit në Elbasan.  

"Ne jemi këtu për të mos ta lejuar këtë. Kemi shumë sfida përpara dhe këto mund të kapërcehen vetëm nëse kemi mbështetjen tuaj. Unë jam i interesuar që policia të veprojë me formën më të lartë të profesionalizmit dhe integritetit . Por që të arrijmë këtë vlerësim, vlerësimi dhe mbështetja juaj është domosdoshme që edhe ne të dimë sesi po ju shërbejmë juve. Nese ne dialogojmë që në krye të herës porblematikat që neve na shqetësojnë jam i bindur që jo vetëm do të gjejnë zgjidhje por do të parandalojnë një përqindje shumë të madhe të fenomeneve shqetësuese. Zyra ime është e juaja. Komisariati është i juaji dhe është aty për tu shërbyer qytetarëve" nënvizoi më tej drejtori i policisë së Elbasanit. 

Shifrat e raportuara nga drejtori i policisë tregojnë se  është ulur numri i vjedhjeve me dhunë. 

Altin Qato: "Ndonëse në të shkuarën qyteti i Elbasanit kaloi në sfida pasigurie sot situata paraqitet e qetë. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur ngjarje të rënda krimijanale, si ndaj personit por dhe ndaj pronës apo sigurisë publike. Në krahasim nga vitet e kaluara situata paraqitet e përmirësuar. Kemi ulje të vjedhjeve me dhunë. Vjet kemi pasur 5 vjedhje me dhunë  këtë vit 1. Kemi ulje të vjedhjeve të automjeteve.  Nuk ka pasur vjedhje të kompanive"

Fokusi shkolla

Drejtori i policisë së Elbasanit nënvizoi se fokusi do të jetë siguria në shkolla dhe së shpejti do të vendosen oficerët e sigurisë.

"Parandalimi i ngjarjeve në shkollë dhe rreth tyre, veçanërisht parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave. Ne kemi pasur sinjalizime por jo denoncime konkrete. Ne kemi identifikuar disa zona që frekuentohen nga përdorues të lëndëve narkotike për këtë kërkojmë bashkëpunimin e komunitetit për të ndërgjegjësuar dhe parandaluar këtë fenomen

Së shpejti do jetë dhe vendosja e oficerëve të sigurisë në shkolla. Projekt që po zbatohet me sukses në Tiranë" 




/Ora News.tv/