Thirrja e shoqërisë civile në seancë dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit për vettingun në politikë është kthyer në “një mollë” sherri mes PD dhe PS. Demokrati Alibeaj i ka kërkuar shoqërisë civile që të mos bëhet pjesë e fasadës së mazhorancës, pasi ajo ka vendosir që të mos e miratojë nismën për ndryshimet kushtetuese.

Partia Demokratike vijon të ngulmojë së vettingu i politikës është zgjidhja e vetme që do të pastrojë deputetët e inkriminuar, pavarësisht paragjykimit për qëndrimin e PS kundrejt nismës së tyre.

Seancën dëgjimore me përfaqësuesit e shoqërisë civile në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, deputeti demokrat e ka quajtur një teatër hipokrizie dhe i bëri thirrje shoqërisë civile që të mos përdoren nga qeveria, madje falenderoi ata që nuk kishin pranuar ftesën.

Alibeaj: Ky është një tetar hipokrizie që po zhvillon Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit me një qëllim të vetëm, për t'i hedhur hi syve të publikut.

Përfundimi i kësaj procedure, e cila shndërruar në mënyrë aspak elegante dhe një procedurë përdorimi dhe fasade të qëndrimit që këta zotërinj nuk duan ta shprehin publikisht, mohimin total të kësaj kërkese urgjente, emergjente, uluritëse të publikut shqiptar është thjesht për të blerë kohë, duke bërë një teatër.

Konsiderata që unë kam me respektin më të madh për ju 5 përfaqësues të shoqërisë civile është që të mos lejoni veten tuaj që mos përdoren si fasadë, për këtë qëllim të mohimit të vettingut në politikë, të përdoreni nga këta. Do të ishte shërbimi më i keq që i bëhet publikut. Ju keni krijuar emrin tuaj, eksperiencën tuaj vetë me kontributin tuaj, pa asnjëlloj ceni, pa asnjë lloj korruptimi me politikën. Nuk jeni thirrur asnjëherë në çështjet më delikate që ky Parlament dhe kjo godinë ka diskutuar historikisht, asnjëherë nuk ju ka thirrur. Ju thërrasin sot! Për një çështje që e kanë dhënë verdiktin. Nuk e duan! Sot janë duke luajtur teatrin hipokrit të radhës, gjasme po konsultohen me shoqërinë civile.

Demokrati nuk la pa hedhur akuza edhe ndaj kryetarit të grupit të socialistëve dhe më pas la mbledhjen.

Aliebaj: Taulant Balla del në të gjitha episodet kriminale së paku të muajve të fundit.

Pas largimit të përfaqësuesit të opozitës edhe disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk pranuan që të bëhen pjesë e debatit politik.

Ora News kontaktoi me përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile që nuk kishin ardhur në mbledhje. Një pjesë e tyre thanë që e kishin parë njoftimin me vonesë, ndërsa pjesa tjetër arsyetoi se nuk donin të beheshin pjesë e këtij debati.

Për shumicën largimi i Alibeajt është shkelje e kodit të etikës, për të cilin ata kërkojnë që të merren masa.

Manja: Do të ketë një qëndrim lidhur me shkeljen e kodit të etikës, por edhe nga ana e shkeljes së rregullores së Kuvendit.



/Ora News.tv/