Në dëgjesën me komisionerin për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ngriti shqetësimin e mungesës së informacionit në faqen online të Kryeministrisë.

Për këtë Alibeaj kërkoi masa ndëshkimore.

Alibeaj: Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve. Klikoj. Zero.Është në shkelje të ligjit tuaj ky zotëria apo jo?

Komisioneri Dervishi tha se informacioni në këto faqe online gjendet por jo në mënyrën që kërkon ligji.

Dervishi: Shumicën e informacionit të kërkuar nga neni 7 i ligjit për të drejtën e informimit e kanë publik në faqe por nuk e kanë në formën që përcakton neni 7 i ligjit për të drejtën e informimit.

Ndërkohë deputeti, Oerd Bylykbashi, ngriti shqetësime për mbrojtjen e të dhënave personale për të cilat pretendoi se kompania OSHEE po ua merr abonentëve të saj dhe po ua shpërndan partive politike.

Por zyra e komisionerit nuk e ka konstatuar këtë fakt.

Bylykbashi: Database i pjesshëm i mbledhur nga OSHEE dhe nënkontraktorët e saj është vënë në dispozicion të subjekteve politike të mazhorancës në procesin zgjedhor.

Dervishi: Vetëm vitin e kaluar kemi dalë me 11 urdhra për shkatërrimin e të dhënave personale të mbledhura në mënyrë jo të ligjshme. Nuk e kemi konstatuar.

Në fund deputeti socialist, Alket Hyseni, kërkoi sërish transparencë për paratë e lobimit të Partisë Demokratike, kërkesë e cila shkaktoi ilaritet në Komision por që nuk është në fushën e  veprimit të zyrës së komisionerit publik.

Hyseni: Kompani e cila rezulton se për numër telefoni ka numrin e telefonit të TOO LOVE Club, një club i cili ofron shërbime takimesh online për femra të bukura ukrainase.

Dervishi: Ligji për të drejtën e informimit nuk e ka parashikuar në këtë ligj.

/Ora News.tv/