Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se s’ka shqiptar që nuk e do Shqipërinë, dhe që s’e do bashkimin kombëtar.

Por, sipas Ahmetit, gjërat kanë ndryshuar shumë që nga vitet  90-të të shekullit të kaluar.

Ai ka thënë se shqiptarët tani duhet të synojnë të bashkohen në Evropë, me integrimin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

“Alternativë tjetër nuk ka. As shqiptarët, as fqinjët tanë nuk kanë. Shqipërinë e Madhe na e futën të tjerët si koncept. S’është Shqipëria as e madhe, as e vogël, është aq sa është”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për Televizionin T7.

Ahmeti ka porositur shqiptarët që të punojnë për t’i forcuar shtetet e tyre – duke përmendur në veçanti Kosovën.

Kreu i BDI-së ka folur edhe për idenë e ndarjeve territoriale. “Koncepti i ndarjeve është jo i dobishëm për shqiptarët”, ka thënë ai.

“Në radhë të parë, s’ke se si i ndan. Nuk mund t’i ndash kufijtë me litar, me vizore”, është shprehur Ahmeti.

/Ora News.tv/