Alarmi/ Amsterdami "xhungël urbane", policia e pafuqishme përballë krimit

Alarmi/ Amsterdami "xhungël urbane", policia e pafuqishme

Ndërsa bie nata në Amsterdam, disa zona turistike kthehen në një "xhungël urbane" ku policia është e pafuqishme për të trajtuar krimin, dhunën dhe trafikun e drogës. Ky ishte alarmi që dha Avokati i Popullit, Arre Zuurmond. (Në foto)

"Qendra e qytetit bëhet një xhungël urbane gjatë natës", tha Arre Zuurmond për gazetën holandeze Trouw.

Më tej ai vijon duke thënë se paratë kriminale lulëzojnë, nuk ka autoritete dhe policia nuk mund të merret më me situatën.

"Droga po shitet hapur nëpër rrugë, zonat e këmbësorëve apo të biçikletave përdoren për gara me makina, ka vjedhje dhe vepra të tjera kriminale", tha Avokati i Popullit duke përdorur fjalën "kaos" botëror për të përshkuar atë që po ndodh në qytet.

Trafikimi i qenieve njerëzore është bërë një burim i veçantë shqetësimesh për autoritetet vendore. Kjo ka nxitur që të nisen projekte të veçanta që synojnë luftimin e çështjes si dhe uljen e shkallës së përgjithshme të krimit. Sidoqoftë, të gjitha përpjekjet deri tani nuk kanë patur dobi, raporton gazeta, duke cituar vlerësimin e bërë nga gjykata e qytetit të Amsterdamit.

"Problemet thellohen ndërsa vazhdojnë të përhapen në të gjithë qytetin", paralajmëroi Zuurmond. Veçanërisht ai tërhoqi vëmendjen tek fakti se rreth 2,000 taksi të paligjshëm punojnë gjatë natës.

"Situata e tensionuar është pjesërisht rezultat i politikës qeveritare", shpjegon Zuurmond. "Qeveria ka stimuluar qëllimisht turizmin pas krizës ekonomike, por ajo ka harruar të marrë masa shtesë të sigurisë", tha ai.

Në Holandë, rreth 160,000 njerëz janë "të dënuar me vendim të formës së prerë", por kanë arritur të shmangin dënimin, raporton Trouw, duke cituar të dhënat e ofruara nga bashkia e Amsterdamit.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, më shumë se 12,000 persona nga 160,000 duhet të vuajnë dënimin me burg. Rreth 10 për qind e të dënuarve që i shmangen drejtësisë thuhet se banojnë në Amsterdam, ku ata mund të aplikojnë për një pasaportë të re pothuajse pa asnjë kontroll. Si rezultat, qindra "kriminelë të rrugës" të dyshuar thjesht "zhduken".

Amsterdami mirëpret 18 milionë turistë çdo vit - më shumë se popullata e përgjithshme e Holandës. Qyteti është goditur kohët e fundit nga një varg incidentesh të dhunshme.

EMISIONET