Ermira Gjata është një prej aktoreve më të mira shqiptare, e cila ka 40 vite që punon si Pedagoge në Universitetin e Arteve. E ftuar në emisionin "Arkapia" nga Elsa Demo, ajo ka folur për gjendjen e studentëve dhe gabimet e aktorëve shqiptarë.

Ermira Gjata:  Çdo zyrtar, çdo gazetar mediash, çdo politikan, çdo biznesmen duhet të dijë ta flasë pastër gjuhën e tij. Mua më vijnë studentë pa njohur etikën qytetare. Nuk dinë të flasin me ju. Nuk dinë çfarë është distanca. Një student nga Maqedonia tha, Pse duhet të flas me ju? Ti je një. Ti je ti. E gjithë rinia na flet me 'ti' dhe më duhet shumë kohë që të mësoj studentët të flasin me ju. 

Elsa Demo: Si është gjendja sot në Universitetin e Arteve?

Ermira Gjata: Studentët më kanë zhgënjyer. Tani jemi në një fazë që studenti të vjen pa lexuar asnjë libër, nuk ka parë asnjë shfaqje teatri dhe do të bëhet aktor. Përditë e më shumë më zhgënjejnë sepse vijnë në shkollë me një pasion teorik, që në praktikë nuk manifestohet fare. Kjo është dhimbja më e madhe që përjetoj unë si Mirë sepse unë mësimin e bëj me shumë dashuri. Mezi e pres sepse është një komunikim shumë i bukur dhe unë krijoj në orë të mësimit. Kjo më ka mbajtur vite të tëra pa luajtur teatër. Zëri ka nevojë të punohet përditë. Pastërtia e të folurit duhet të punohet çdo ditë me diksionin, me frymëmarrjen. Fatkeqësia më e madhe është që studenti sot nuk punon në mënyrë individuale. Nëse muzikanti punon me veglën 5 orë, studenti jonë duhet të punojë 7 orë në ditë. Pse? Sepse ai e fillon shumë vonë këtë si profesion. E fillon 18,19, 20 vjeç. Deri tani ai ka foluar ndryshe.

Elsa Demo: Cili është gabimi më i shpeshtë që bëjnë aktorët shqiptarë?  Ku gabojnë më shpesh?

Ermira Gjata: Janë një sërë gjërash. Nuk punojnë shumë. Mungesa e punës dhe mungesa e nivelit intelektual. Nuk lexojnë shumë. 

Pse duhet profesioni ynë? Sepse sot ka ndryshuar dhe komunikimi, sepse kanë ndryshuar mjetet e komunikimit, por teatri e ka gjetur prej shekujsh gjuhën e komunikimit. Të shkojë shpirti tek shpirti direkt.  Pa aksesorë të tjerë përbërës. Mirëpo që të shkojë ai që del në skenë dhe merr përsipër të ngacmojë intimitetin e skeptatorin dhe të ndezë llampushkën komunikuese, ai duhet të jetë shumë i informuar, shumë i lexuar që të dijë si të shkojë deri tek shpirti i spektatorit. Nëse nuk je i lexuar nuk e ke të zhvilluar imagjinatën. Por imagjinata duhet ushqyer vazhdimisht.

Sa i takon studentëve unë qëndroj në edukimin primar që u mungon, të përdorin fjalët magjike: Ju lutem! Faleminderit! Ka mundësi!  Si t'ia tërheqin një femre karrigen që të ulet, si t'ia mbajnë pallton, si të sillen me delikatesë me të e ta trajtojnë si të tillë sepse aktori është në sy të të tjerëve. Aktori është person publik, dhe pikërisht të marrurit si shembull si persona publik duhet të jemi të përgjegjshëm edhe në jetën tonë publike, dhe duhet të jemi shumë të matur për gjërat që duhet të bëjmë.

/Ora News.tv/