Luiza Xhuvani mbetet një aktore me shumë pushtet në teatër. Nuk është më çudi që gjithë kërkimet e saj të viteve të fundit janë energji për të kuptuar përmes roleve se si funksionojnë raportet familjare, veçanërisht ato prindër-fëmijë.

Luiza Xhuvani i shkon deri në fund eksplorimit të raporteve familjare. Pas roleve të antikitetit grek si Andromaka dhe Elektra, apo edhe Hamleti e Lukrecia Borxha, ajo rikthehet me 'Medean', një kryepersonazh kontroversal, sërish nga Euripidi.

Xhuvani vazhdon të ruajë në mënyrë kategorike kodin e heshtjes për median. Por Ora News i ka marrë një prononcim të parë regjisorit grek Dimitris Milonas.

Dimitris Mylonas: "Medea është një vepër e pakohë. Mesazhet që përcjell mbi pushtetin, mashtrimin dhe krimin e bëjnë një vepër universale për të sotmen dhe të nesërmen."

Profili i nënës vrasëse që hakmerret ndaj të shoqi, Jasonit e që për hir të pasionit të mashtruar vret fëmijët e saj, ka qenë hisorikisht një subjekt i treguar dhe ritreguar nga dramaturgët në të gjitha kohërat.

Dimitris Mylonas: "Teatri që unë preferoj të bëj respekton veprën e Euripidit. Në drejtim të formës ne nuk po kërkojmë të vëmë në skenë një pjesë klasike dhe as moderne. Jemi përqendruar tek loja e aktorit, këtu dhe tani, në këtë realitet. Pra na intereson të jemi sa më të vërtetë."

Si aktore teatri Luiza Xhuvani është shumë e lidhur me kulturën greke dhe  gjuhën greke. Kjo e bën më të lehtë bashkëpunimin e saj me regjisorin Milonas i cili ka motive të forta për të besuar tek 'Medea' e Xhuvanit.

Dimitris Mylonas: "Luiza Xhuvani është një aktore e mrekullueshme dhe unë kam fatin që punoj me të. Ajo do të na jape një Medea të vërtetë, të prekshme në skenë. Nga një aktore shumë e mirë nuk presim veçse një lojë me shpirt, trup dhe mendje."

Në këtë produksion të Teatrit Eksperimental që shfaqet premierë më 3 shkurt, interpretojnë aktorët Ahmet Pasha, Alfred Trebicka, Roza Anagnosti, Viktor Zhusti i cili ka sjellë një përkthim të ri të veprës së Euripidit.

Kostumet janë realizuar nga Sofi Kara, skenografia nga Beqo Nanaj, koreografia nga Gjergj Prevazi.

/Ora News.tv/