Pak orë pas prezantimit të projektit për Teatrin e ri Kombëtar, aktorët që kanë qenë kundër idesë së ndërtimit të një teatri të ri nuk pranojnë të shprehen para kamerave.

Ora News kërkoi të marrë prononcimet e atyre aktorëve që ishin të praishëm në sallë përballë kreut të qeverisë, por i vetmi që pranoi të fliste ishte një nga kandidatët për Drejtor të Teatrit, Genci Fuga, i cili mungesën e tij gjatë prezantimit të projektit kërkon ta marrë si çështje protokolli dhe jo hakmarrje politike.

Fuga: Dua të besoj që është një lapsus i protokollit, si të Ministrisë së Kulturës ashtu dhe të Kryeministrisë. Të gjitha qëndrimet e tjera, hasmëritë e tjera nuk shërbejnë për momentin.

Ndryshe nga disa të tjerë, Fuga ishte njohur me projektin për Teatrin e ri, për të cilin tha se është kritik pasi në të mungojnë ambjentet ndihmëse për aktorët.

Fuga: Vura re në momentin e të qenit aktor dhe regjisor që mungon një pjesë e mirë e ambjenteve ndihmëse.

I kontaktuar në telefon, aktori Bujar Asqeriu tha për Ora News se Rama nuk e ftoi në prezantimin e projektit vetëm për tu hakmarrë.

Aktori tha se nuk mban mëri për veprimin e Kryeministrit por pa harruar të kundërshtojë projektin e ri që sipas tij është i bukur për të qenë një qendër tregtare por jo një teatër.

Të njëjtin mendim ka shprehur në një tjetër komunikim telefonik edhe aktori, Arben Derhemi, i cili tha se projekti është i bukur vetëm si një hapësirë për kafe.

Një ditë më parë kryeministri Rama dhe arkitekti danez prezantuan projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, i cili do të ndërtohet pasi të prishet teatri aktual.

 

/Ora News.tv/